Në rrethin e gjerë të personave të arrestuar me urdhër të prokurorisë si të përfshirë në grupin e strukturuar kriminal të Shijakut ka edhe efektivë policie. Në përgjimet e prokurorisë shihet se një prej efektivëve të Fierit, Bledar Koçi, informonte anëtarët e grupit për veprimet e prokurorisë dhe Astrit Gjyriqi që jo vetëm jepte informacion për hyrje-daljet por dhe ndihmonte kalimin e personave me precedentë.
Nga përgjimet e bandës së Shijakut, prokuroria ka zbuluar edhe disa bashkëpunëtorë të tyre në radhët e organeve të rendit.
Një ndër ta ka qenë edhe oficeri i policisë, Bledar Koçi, i cili kishte lidhje me një nga eksponentët e grupit të Shijakut, Hajri Seferin.
Bledar Koçi punonte në Fier në sektorin kundër narkotikëve.
Nga hetimet rezulton se Koçi ka ndihmuar anëtarët e grupit kriminal dhe konkretisht nëpërmjet shtetasit Hajri Seferi, duke shfrytëzuar të dhënat dhe pozicionin e tij.
Bledar Koçi ishte informator i Hajri Seferit dhe anëtarëve të tjerë të grupit të strukturuar kriminal.
Madje sipas prokurorisë ai ka sjelle probleme për hetimet, duke i informuar anëtarët e grupit për veprimet e prokurorisë.
Nga një përgjim rezulton se Koçi ka informuar Seferin në lidhje me GPS audiolokalizuese që ishte vendosur në automjet.
Pajisja e cila u zbulua nga të dyshuarit pas disa ditësh të vënë në makinë dhe organet hetimore u detyruan ta çinstalonin.
Ndërsa, Astrit Gjyriqi, punonjës policie në pikat kufitare, sipas Prokurorisë rezulton se bënte të mundur lejimin e kundraligjshëm të personave me precedentë penal pa të drejtë të kalimit të kufirit.
Gjithashtu ai rezulton se ka shumë komunikime me anëtarët e grupit të strukturuar kriminal të familjes Avdyli në Shijak.