Mediat greke zbulojnë skandalin, portale dhe gazetarë në Shqipëri janë financuar nga Athina

0
397

Mediat greke kanë zbardhur ditën e djeshme një skandal, ku akuzojnë Athinën zyrtare se kanë shpenzuar plot 1 milionë euro duke financuar portale dhe gazetarë shqiptarë. Ky lajm është bërë me dije nga gazetari grek Dhimitris Takis në gazetën elektronike iefimerida.gr. Fillimisht, artikullin gazetari Takis e nis me arsyen se përse është investuar kaq para nga Athina, qëllimi i vërtetë i së cilës ka qenë sigurimi i publikimeve pozitive rreth Greqisë dhe krijimin e lobit të gazetarëve shqiptarë ne vend, si dhe që kokat e medias të mbështesin interesat e Greqisë. Por sipas gazetës, me këtë fakt ka lidhje edhe debati i ashpër mes Panos Kamenos ministër i Mbrojtjes dhe Nikos Kotzias tashmë ish-ministër i Jashtëm, në mbledhjen e këshillit ministror pak ditë më parë, debat që shkaktoi dorëheqjen e ministrit Nikos Kotzias. Kundërshtari politik i Kotziasit, ministri i Mbrojtjes Kamenos e ka akuzuar për shpenzimin e jashtëligjshëm të 45 milionë eurove e po ashtu edhe për marrjen e parave nga miliarderi Soros. Ndërkohë që një nga arsyet e largimit nga detyra të Kotzias , sipas medias greke, janë financimet e fshehta abuzive të kryera nga Ministria e Jashtme për media të caktuara në Shqipëri dhe Maqedoni. Sipas asaj që raporton gazetari grek, shuma e dhënë llogaritet në 1 milionë euro. Gjithashtu, në artikull thuhet se miliona euro janë dhënë për biznese në Shqipëri, kryesisht ndërtimin e hoteleve në jug të vendit, apo për financimin e ndërmarrjeve, pronë e të afërmve të politikanëve të ndryshëm të minoritetit grek që jeton në Shqipëri. Po ashtu, gazetari thotë në artikull se para në subvencione janë dhënë për zyrtarë të ndryshëm të minoritetit, në formë kompensimi rroge, në mënyrë që të mos largohen nga Shqipëria, për të emigruar në Greqi. Nga ana tjetër, në artikullin e publikuar në mediat greke janë financuar edhe programe të ndryshme për studime Master të zyrtarëve shqiptarë në Greqi, por edhe për pritje, përcjellje dhe udhëtime turistike të disa prej gazetarëve shqiptarë. Madje, artikulli thekson se në listë nuk mungojnë as fondacione mediatike dhe kulturore në Tiranë dhe Gjirokastër.

Përplasja Kamenos- Kotzias

Më tej në artikull, gazetari grek Dhimitris Takis shkruan se një javë para dorëheqjes së Kotzias, një diplomat, punonjës në Ministrinë e Jashtme greke ka dorëzuar te kryetari i parlamentit një zarf të mbyllur dhe të vulosur ku gjendeshin tre kode dhe llogari bankare për një shumë totale prej 1 milionë eurosh. Zarfi është hapur në zyrën e kryetarit të Kuvendit. Të dhënat që ndodhen në zarf më pas u publikuan në media. Sipas artikullit, kodi i parë i përket parave për financimin e disa mediave në Shqipëri. Ndërsa kodi i dytë është për financimet në Maqedoni dhe kodi i tretë i përket parave për mbështetjen e kishave ortodokse dhe të ortodoksisë në përgjithësi. Ndërkohë duke cituar ekspertin e ministrisë së Jashtme, artikulli thekson se financimi në Shqipëri dhe Maqedoni synonte lobing me gazetarë dhe drejtues mediash në këto dy vende për interesat e Greqisë. Por artikulli nënvizon se ministri i Mbrojtjes, Panos Kamenos, ka kundërshtuar duke thënë se të gjitha këto para janë dhënë në mënyrë jo transparente. Kamenos bëri publik edhe rastin e një shoqërie të menaxhimit të udhëtimeve që i përket dy ish-ambasadorëve dhe një ish-oficeri të policisë greke. Sipas mediave greke kjo është vetëm maja e ajsbergut.

Rigels Seliman

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here