Asambleja e Partisë Socialiste zhvilloi dje mbledhjen e radhës. Fjalën hapëse të Asamblesë e mbajti Sekretari i Përgjithshëm i PS, Taulant Balla, i cili parashtroi pikat e rendit të ditës. Pas miratimit të rendit të ditës, Balla ishte folësi i parë në Asamble, ndërsa ndau me të pranishmit edhe një sërë njoftimesh të rëndësishme. Gjatë fjalë së tij, Balla zbuloi se në zgjedhjet lokale të vitit 2019, Partia Socialiste do të ketë aleancë vetëm me qytetarët e zakonshëm të vendit, ndërsa theksoi se tanimë fushata për këto zgjedhje ka nisur. “Sot jemi 250 ditë larg zgjedhjeve vendore të 2019 dhe fillojmë sezonin politik me anë të kësaj Asambleje Kombëtare. Duam të garojmë si kandidatë fitues në të gjitha prej 61 bashkive të vendit. Në zgjedhjet vendore 2019 ne do të kemi një aleat, qytetarët e zakonshëm të këtij vendi dhe përballë do të kemi një aleancë politikanësh që Shqipërinë e duan për interesat e tyre”, deklaroi ai. Më tej, Balla ka bërë me dije se edhe Partia Socialiste do jetë pjesë e reformimit. Teksa u ndal tek anëtarësimet e reja, Balla ka kërkuar të shkohet në çdo fshat dhe çdo familje, me qëllimi shtimin e elektoratit. “Qeverisja jonë përbëhet nga tre pjesë: Partia, grupi parlamentar dhe qeveria. Ky është një proces vetëm nëse të tre pjesët jetojnë në harmoni dhe funksion të njëra-tjetrës. Partia mbetet baza më e rëndësishme e këtij procesi. Strukturat e PS në çdo cep të territorit janë ura lidhëse e grupit dhe qeverisë me njerëzit e zakonshëm. Në rendin e ditës kemi dhe një pikë shumë të rëndësishme që ka të bëjë me një fushatë të re, një aksion kombëtar për hapjen e PS dhe vëmendjen tek njerëzit. Nuk jemi aty ku duhet me anëtarësimet e reja në parti referuar dhe me çfarë kemi vendosur si objektiv në fillim të këtij viti, 6 janar 2018, në mbledhjen e parë të Asamblesë Kombëtare, qoftë në sasi por më keq akoma dhe në cilësi. Duhet domosdoshmërisht që të gjithë të angazhohemi në afrimin e elementëve cilësorë. Njerëzit më të mirë në çdo komunitet duhet ti ftojmë dhe tu japim mundësinë të kontribuojnë për Shqipërinë që duam dhe PS”, u shpreh ai. Ndërkohë, Balla theksoi se objektiv për të përmbushur është “çuarja e tepsisë për skrap”, që sipas tij, nuk është arritur ende. “Synimi kryesor është që përmes tyre të kemi dhe një rrjet më të mirë patronazhimi në çdo cep të territorit. Duhet ti qëndrojmë besnik angazhimit tonë për ta çuar përfundimisht për skrap tepsinë e pushtetit dhe të gjithë biem dakord se lufta kundër tepsisë ende vazhdon dhe nuk e kemi fituar atë ende”, nënvizoi ai.