3.4 milionë euro në “Toyota Yaris”, Prokuroria e Krimeve të Rënda ndryshon akuzat për të ndaluarit, dosja i kalon Durrësit

0
510

Prokuroria për Krime të Rënda ka ndryshuar akuzën ndaj personave të akuzuar të dosjes së “Toyota Yaris”, ku u gjetën 3.4 milionë euro në Portin e Durrësit. Gazeta mëson se organi i akuzës ka bërë ndryshimin e veprës penale nga pastrim i parave në mosdeklarim të të hollave në kufi. Pas ndryshimit të akuzave kjo dosje automatikisht nga Prokuroria për Krime të Rënda do t’i kalojë për hetime të mëtejshme Prokurorisë së Durrësit. Kujtojmë se personat e vënë në pranga u liruan rreth një muaj më parë, por më 3 dhjetor togat e zeza të Apelit për Krime të Rënda kërkuan rikthimin në burg për katër personat e ndaluar për këtë çështje. Për këtë dosje të dyshuar janë Edi Lika dhe djali i tij, Klevi Lika, shoferi Agim Çekaj dhe biznesmeni Alban Mollaymeri. Kujtojmë që në shtator të këtij viti Prokuroria e Krimeve të Rënda mbylli hetimet për ngjarjen në fjalë, ku tre prej të pandehurve iu komunikua akuza e “Pastrimit të parave në kuadër të grupit të strukturuar kriminal”, ndërsa Agim Çekaj akuzohet vetëm për armëmbajtje pa leje. Ndërkohë rreth një muaj më parë Gjykata për Krime të Rënda ktheu për hetime të mëtejshme dosjen e njohur me emrin “Toyota Yaris” për futjen në Shqipëri nga Porti i Durrësit të 3.4 milionë eurove. Togat e zeza refuzuan kërkesën e prokurorisë për kalimin e çështjes në gjykim dhe shkak për këtë u bënë dy letër-porosi që u dorëzuan në seancë nga prokurorët e çështjes. Këta të fundit paraqitën dy akte të ardhura nga Belgjika dhe Italia, por që nuk janë përkthyer ende. Nga ana tjetër, avokatët pretenduan se materialet nuk janë sjellë sipas formës së kërkuar nga ligji. Po kështu gjykata i kërkoi organit të akuzës që të identifikojë edhe personat e tjerë që dyshohen si të përfshirë në këtë ngjarje. Në qershor të vitit të kaluar u sekuestruan 3.4 milionë euro në Portin e Durrësit, në dy automjetet tip “Toyota Yaris”. Të arrestuarit kanë mohuar lidhjen dhe dijeninë për paratë e fshehura në dy automjetet. I pari që denoncoi këtë çështje ishte kryetari i PD, Lulzim Basha, nga foltorja e Parlamentit përpara se makina në mbërrinte në Portin e Durrësit. Për këtë ai u mor në pyetje me kërkesë të autoriteteve belge, në Prokurorinë e Krimeve të Rënda. Hetuesit belgë i kërkuan Bashës burimin e këtij informacioni, se drejt Portit të Durrësit në një makinë “Toyota Yaris” ishin nisur para. Për këtë rast prokuroria belge ka nisur një hetim të sajin dhe autoriteteve shqiptare i ka kërkuar verifikimin e pasurisë për 12 persona, ndër ta dhe kushërinjtë Vladi.

Sekuestrimi i pronave të anëtarëve të këtij grupi

Tre muaj më parë Policia e Shtetit në bashkëpunim me Prokurorinë për Krime të Rënda kanë kryer sekuestrimin e pasurive të personave të arrestuar në kuadër të grupit kriminal “Toyota Yaris”. Nën sekuestro janë vënë llogari bankare me vlerë 72 mijë euro, truall dhe ranishte në pronësi të pjesëtarëve të këtij grupi kriminal. Sekuestrimi i këtyre parcelave u bë pasi dyshohet se ato janë përfituar nga aktiviteti kriminal. Bazuar në Vendimin e Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda, u vendosën nën sekuestro një shumë prej 72 000 € në llogarinë e Shoqërisë “TRC” sh.p.k, pranë një banke të nivelit të dytë; ranishte me sipërfaqe 11 167 m2 e ndodhur në fshatin Draç, Ishëm, në Gjirin e Lalëzit, Durrës; ranishte me sipërfaqe 140 m2 e ndodhur në fshatin Draç, Ishëm, në Gjirin e Lalëzit, Durrës; tokë arë me sipërfaqe 873 m2 e ndodhur në fshatin Draç, Ishëm, në Gjirin e Lalëzit, Durrës si dhe një truall me sipërfaqe 404,5 m2+godinë banimi 2 katëshe, sipërfaqe banimi kati përdhe 147,6 m2, sipërfaqe verandë+shkallë 10,9 m2+sipërfaqe banimi kati i parë 158,5 m2, e ndodhur në Njësinë Bashkiake Nr.11 Tiranë. Sipas Policisë së Shtetit, vijojnë procedurat në bashkëpunim me Agjencinë për Administrimin e Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara, për kalimin në administrim nga shteti të të gjitha këtyre pasurive. Katër të arrestuarit në Shqipëri janë Edi Lika, Klevi Lika, Agim Ceka dhe Alban Mollaymeri, ndërsa të proceduar në Belgjikë janë Alfred Vladi, Elvis Vladi, Edi Lika, Agim Ceka, Alban Mollaymeri, Niman Nimani, Alman Nimani, Albana Vladi, Arianit Nimani, Drita Sopo dhe Driton Hakaj. Sekuestrimi i 3.4 milionëeuro në “Toyota Yaris” në Portin e Durrësit u bë në muajin qershor 2018. 

Elvis MYRTA

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here