Nga Julia Vrapi
Piano dhe orkestër në një mbrëmje të madhe muzikore. Veprat muzikore të përzgjedhura do të përcjellin emocione të thella dhe një përjetim artistik të veçantë, duke shpalosur bukurinë dhe fuqinë e muzikës simfonike. Skena e Teatrit të Operës dhe Baletit do të mbushet me emocionet e dy kryeveprave të mëdha të repertorit simfonik: Koncerti për piano nr. 2 në Sol minor, op. 16 i Sergei Prokofiev dhe Simfonia nr. 2 në Mi minor, op. 27 e Sergei Rachmaninoff.
Në piano do të interpretojë pianisti Kostandin Tashko, ndërsa orkestrën e TKOB-së do ta drejtojë dirigjenti Sergio Alapont. “Një mbrëmje që premton emocione të thella dhe një përjetim të veçantë artistik”, thuhet nga teatri për këtë koncert që do të zhvillohet mbrëmjen e datës 17 mars në Tiranë. Një mbrëmje e tillë muzikore premton të sjellë publikun pranë bukurisë dhe fuqisë së dy kryeveprave simfonike. Ndërsa pianisti Kostandin Tashko dhe dirigjenti Sergio Alapont do të udhëheqin një performancë, që do të mbetet gjatë në kujtesën e çdo dashamirësi të muzikës klasike. Kostandin Tashko do të interpretojë në këtë koncert në vijim të aktivitetit të tij artistik, jo vetëm në skenën tonë, por dhe atë ndërkombëtare.
Gjatë viteve të fundit ka performuar në disa nga sallat më prestigjioze ndërkombëtare si: Gran Teatro La Fenice di Venezia, Musikverein Vienna, Gallus Hall & Slovene Philarmonic Hall Ljubljana, Teatro Filarmonico di Verona, Teatro Verdi di Trieste, Teatro dei Rozzi di Siena, etj. Ndërsa Sergio Alapont është dirigjenti spanjoll, që ka qenë dhe më parë në koncerte dhe produksionet e TKOB-së. Ai ka drejtuar në disa nga teatrot më të famshëm të operës në botë, si Teatro Real në Madrid, Opera-Theatre de l’Eurometropole de Metz, Opera National du Rhin dhe Glyndebourne Festival. Puna e tij përfshin një repertor të pasur operistik dhe simfonik, ku ka bashkëpunuar me disa nga orkestrat më të njohura.
Dy kompozitorët
Sergei Rachmaninoff (1873-1943) dhe Sergei Prokofiev (1891-1953) ishin kompozitorë, pianistë dhe dirigjentë rusë, të njohur për ndikimin e tyre të madh në muzikën klasike botërore. Rachmaninoff spikati për thellësinë emocionale, bukurinë melodike dhe harmonitë e pasura të veprave romantike, duke lënë pas simfoni, koncerte për piano dhe muzikë kormorale që ende interpretohen gjerësisht. Prokofiev dallonte për stilin inovativ dhe energjik, shpesh me nuanca humoristike, duke kombinuar meloditë e bukura me ritme dhe harmoni moderne, që i japin veprave të tij një karakter unik dhe të njohur në repertorin botëror.










































