Nga Julia Vrapi
“Me zanin e Bjeshkëve” sjell në skenë jehonën e bjeshkëve, tingujt autentikë të folklorit dhe energjinë e gjallë të muzikës tradicionale. Këngëtari i njohur Gëzim Nika vjen për herë të parë në skenën e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit me një koncert recital me titullin “Me zanin e Bjeshkëve”. Një mbrëmje e veçantë më 12 mars kushtuar pasurisë së këngës sonë popullore do të vijë në skenën e Teatrit Kombëtar të Operës, Baletit, ku publiku do të përjetojë emocionin dhe fuqinë e traditës shqiptare përmes zërit të artistit të mirënjohur Gëzim Nika, i shoqëruar nga Ansambli Kombëtar i Këngëve dhe Valleve Popullore. “Ky koncert sjell në skenë jehonën e bjeshkëve, tingujt autentikë të folklorit dhe energjinë e gjallë të muzikës shqiptare”, thuhet nga institucioni. Këngëtarët e mirënjohur Aurela Gaçe, Eli Fara, Fatmira Breçani dhe Aranit Hoxha do të jenë të ftuar specialë në këtë koncert që do të zhvillohet së shpejti, artistë të dashur për publikun shqiptar, të cilët do t’i japin kësaj ngjarjeje një dimension edhe më festiv. Mbrëmjen e 12 marsit, publiku do të ketë mundësinë të përjetojë traditën shqiptare në një formë të gjallë dhe autentike. “Me zanin e Bjeshkëve” vlerëson pasurinë tonë muzikore dhe sjell një festë për të gjithë dashamirësit e këngës popullore. Një mbrëmje që premton emocione, tinguj të paharrueshëm dhe një atmosferë të veçantë në skenën e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit.
Këngëtari i njohur i muzikës popullore
Gëzim Nika është një këngëtar i njohur shqiptar, i njohur kryesisht për interpretimin e muzikës popullore dhe patriotike. Ai vjen këto mbrëmje marsi me koncertin recital “Me zanin e Bjeshkëve” në vijim të aktivitetit të tij artistik, duke sjellë në skenë pasionin e tij të pandalshëm për muzikën tradicionale shqiptare dhe folklorin. Ai është një nga artistët më të dashur të skenës muzikore shqiptare, veçanërisht për folklorin shqiptar dhe traditat muzikore të zonave të ndryshme. Gëzim Nika ka nisur karrierën e tij artistike shumë herët, duke u bërë pjesë e festivaleve dhe konkurseve të ndryshme. Një nga këngëtarët që ka kontribuar në ruajtjen dhe promovimin e muzikës tradicionale shqiptare, ku këngët e tij janë të njohura për të sjellë në skenë emocionet e pasura, duke u lidhur ngushtë me ngjarjet historike dhe traditat kulturore shqiptare. Në aktivitetin e tij artistik është i njohur për repertorin e tij të pasur me këngë, të cilat janë dëgjuar e kënduar gjerësisht nga shqiptarët në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni dhe më gjerë.










































