Nga Julia Vrapi
Zbatimi i të drejtës së autorit vijon të mbetet një plagë e hapur për krijuesit shqiptarë. Pavarësisht thirrjeve të vazhdueshme drejtuar institucioneve dhe kërkesave për zbatim rigoroz të ligjit, pirateria mbetet një fenomen shqetësues, që dëmton drejtpërdrejt industrinë kreative në vend. Kineasti dhe producenti Skënder Jaçe ngre alarmin për përhapjen e paligjshme të filmave shqiptarë, duke theksuar se e drejta e autorit për shfaqjen e tyre vazhdon të mos respektohet siç duhet. “Është fare e thjeshtë: kur nuk e ke origjinën e filmit, nuk duhet ta shfaqësh.
Ligji për të drejtën e autorit ekziston dhe është i mirë, por shpesh mbyllet njëri sy, ca të njerkës e ca të babait, dhe kjo situatë problematike vazhdon. Janë një sërë strukturash në Ministri të Kulturës, që nuk merren vesh çfarë ndodh realisht. Kjo situatë në Shqipëri nuk është normale për sa i përket të drejtës së autorit”, shprehet kineasti Skënder Jaçe.
Në lidhje me çfarë ndodh në vendin tonë me piraterinë, Skënder Jaçe shprehet se çdo televizion duhet të bëjë transparente burimin e filmit që shfaq dhe të provojë me kontratë se e ka blerë ligjërisht. Sipas tij, në mungesë të dokumentacionit të rregullt, shfaqja është e padrejtë dhe shteti duhet ta bllokojë. “Ku e ka blerë filmin që po shfaq? Kjo çështje është e ngatërruar, sepse TVSH shfaq më vete, televizionet e tjera më vete, televizionet kabllorë nëpër rrethe shfaqin filma. Kur nuk kanë kontratë që vërteton se ku e kanë blerë filmin dhe ku e kanë lidhur marrëveshjen, kjo është e padrejtë. Nëse nuk e ke, shteti duhet ta bllokojë”, shprehet më tej kineasti.
Problem zbatimi i ligjit
Në vendin tonë është ligji nr. 35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, i cili herë pas here ka qenë dhe pjesë e diskutimeve tek krijuesit shqiptarë. Por për producentin Jaçe zbatimi i tij në vendin tonë lë për të dëshiruar. “Në fushën e kinematografisë tek ne çalon zbatimi i ligjit për të drejtën e autorit. Është shumë e thjeshtë: a është i yti ky mall që përdor, apo jo? Nëse jo, ndaloje. Evien Dako te Shoqata e Filmit Audiovizual, Artistik dhe Dokumentar-FAAD po punon goxha dhe e ka vënë disi në vijë situatën.
Por nëse flasim për jashtë vendit, nuk të lë njeri që të veprosh pa mbaruar në fillim kinematë. Si mund të shfaqësh filmin para kinemave? Ka televizione që kanë filma të vjedhur, që nga filmi i huaj deri te filmi shqiptar”, shprehet Jaçe, i cili shpreh shqetësimin se situata është shqetësuese jo vetëm për filmat që janë prodhuar para viteve 1990, por dhe për prodhime pas këtyre viteve. Edhe pse nga institucionet pohohet se Shqipëria ka ndërmarrë hapa të rëndësishëm në përmirësimin e sistemit të mbrojtjes së të drejtave të autorit dhe të drejtave të lidhura me to, situata në terren mbetet problematike. Për autorët shqiptarë, sfida nuk është mungesa e ligjit, por zbatimi i tij real dhe garantimi i mbrojtjes të plotë të veprës së tyre.












































