Google search engine
Home Kulture Filmi pa zë “SUNRISE: A Song of Two Humans”, i shoqëruar...

Filmi pa zë “SUNRISE: A Song of Two Humans”, i shoqëruar me muzikë live nga Stephen Horne shfaqet në Tiranë

0
22

Nga Julia Vrapi

“SUNRISE: A Song of Two Humans” konsiderohet një nga filmat më të rëndësishëm të epokës së filmit pa zë. Filmi u realizua në vitin 1927 dhe u publikua, si një nga kryeveprat e filmit pa zë me regjisor F.W. Murnau. Ky film do të shfaqet në Tiranë më 25 shkurt në Universitetin e Arteve, ndërsa cilësohet si një event kinematografik për Tiranën. Filmi “Sunrise” do të shfaqet i shoqëruar me muzikë live nga mjeshtri i shoqërimit muzikor, Stephen Horne. Një artist shumëdimensional, Horhe ka performuar për më shumë se tre dekada si shoqërues filmash pa zë në festivale dhe institucione prestigjioze ndërkombëtare, si Berlinale, Venecia dhe British Film Institute në Londër.

Universiteti i Arteve në Tiranë shprehet se ai do të jetë i pranishëm personalisht si i ftuar special dhe do të interpretojë në piano, në shoqërim të filmit të regjisorit F.W. Murnau, “SUNRISE: A Song of Two Humans”. “Fitues i tre çmimeve Oscar, “Sunrise” rrëfen historinë e një fermeri që joshet nga një grua nga qyteti dhe më pas planifikon të vrasë vetë bashkëshorten e tij. I mrekullueshëm, sensual dhe revolucionar, në historinë e kinemasë nuk ka asgjë të krahasueshme me “Sunrise”. Bashkohuni me ne për këtë përvojë të veçantë të filmit dhe muzikës live”, thuhet nga Universiteti i Arteve, ku hyrja është e lirë dhe filmi do të shfaqet me titra shqip tek salla “Çesk Zadeja” në mbrëmje.

Kryevepra e regjisorit F.W. Murnau

Friedrich Wilhelm Murnau ( 28 dhjetor 1888 – 11 mars 1931) ishte një nga regjisorët më të shquar të epokës së filmit pa zë dhe një figurë kryesore e shkollës gjermane ekspresioniste të filmit. Ai njihet për stilin e tij vizual të guximshëm dhe përdorimin inovativ të dritës, hijeve dhe lëvizjes së kamerës. “SUNRISE: A Song of  Two Humans” konsiderohet kryevepra e tij amerikane dhe një nga filmat më të rëndësishëm të historisë së kinemasë, duke kombinuar mjeshtëri vizuale dhe narrativë emocionale.

Kjo shfaqje e këtij filmi në Tiranë realizohet nga United Nations Association Albania në bashkëpunim me The Albanian Cinematheque, me British Film Institute (BFI) si partner nga Mbretëria e Bashkuar, dhe me mbështetjen e Universitetit të Arteve të Shqipërisë. “Reframing the Frame” mbështetet nga British Council përmes WB-UK Creative Skills Development Fund, i cili mundëson partneritete midis Ballkanit Perëndimor dhe Mbretërisë së Bashkuar. Kjo nismë, pjesë e Programit të Ekonomisë Krijuese të British Council, mbështet industritë krijuese si sektorë strategjikë ekonomikë me potencial transformues, me fokus të veçantë në fuqizimin e aftësive dhe punësimit të të rinjve.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here