Nga Julia Vrapi
Nga dashuria te lufta, “Lola” baleti që trondit me histori sakrifice dhe krenarie. Pas 25 vitesh mungesë rikthehet baleti “Lola” me muzikë nga Sergei Vasilenko. Një balet për dashurinë, tradhtinë dhe hakmarrjen, rikthehet pas më shumë se dy dekadash në skenën e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit në Tiranë dhe do të shfaqet për tre mbrëmje me radhë gjatë muajit mars. Me muzikë nga Sergei Vasilenko dhe një gjuhë koreografike të fuqishme, “Lola” vjen si një balet dramatik, ku pasioni i dashurisë përplaset me flakën e luftës dhe një grua bëhet figura qendrore e rezistencës.
“Një histori që vjen në marsin e gruas, duke vendosur në qendër forcën, dinjitetin dhe sakrificën femërore”, thuhet nga institucioni për këtë vepër baleti, që do të jetë në skenë në mbrëmjet e datave 6, 7 dhe 8 mars. Orkestra e TKOB-së do të jetë nën drejtimin e dirigjentit Grdi Kraja. Libreti i veprës është nga B. Burmeister, A. Tolskov, V. Smirnov. Rivendosje në skenë: Edi Blloshmi, Alisa Gjoni dhe Domenika Ndreca. Skenografia në vepër është nga Genc Shkodrani. Vepra e baletit “Lola” vjen në mars 2026 në skenë si një produksion i ri me solistët, trupën e baletit, korin dhe Orkestrën Simfonike të TKOB-së.
Në një material të TKOB në vitin 2019, thuhej se baleti “Lola” u shfaq premierë në skenën tonë në vitin 1958. “Një vepër e realizuar nga balet maestri Marat Gaziev, me dirigjent orkestre Simon Gjonin dhe piktor Stavri Rafael. Personazhet kryesorë të veprës u interpretuan nga balerinët e talentuar: Zoica Haxho, Agron Aliaj, Estref Shaqiri, Xhemil Simixhi, Vera Mesiti, Sakine Sharofi, Petrit Vorpsi, Ramazan Bogdani, Sami Bakalli”, thuhej nga TKOB. Ky balet është pjesë e repertorit të trupës tonë të baletit dhe është rivënë disa herë në skenën e TKOB me interpretues të rinj.
Historia e Lolës
Në sfondin e luftës së popullit spanjoll kundër pushtimit francez, shpaloset historia e Lolës, një vajzë e bukur, e fortë dhe e përfshirë në vorbullën e ndjenjave dhe sakrificës. Në një fshat malor të Katalonjës, festa e përvitshme e korrjes ndërpritet nga hija e pushtimit. Dashuria mes Pablos dhe Lolës vihet në provë, ndërsa xhelozia, krenaria dhe lufta i ndajnë rrugët e tyre. Konsuela bie në duart e francezëve, Minguelli lëkundet mes pasurisë dhe ndërgjegjes, ndërsa partizanët ngrihen në mal për liri. Lola hyn në kampin francez me një mision të qartë, hakmarrjen. Me guxim dhe vendosmëri, ajo përmbush betimin e saj, duke e kthyer dhimbjen personale në një thirrje kolektive.








































