Google search engine
Home Kulture “Albautor” kundër kontratës së RTSH-së për Festivalin: Përmban dispozita abuzive që cënojnë...

“Albautor” kundër kontratës së RTSH-së për Festivalin: Përmban dispozita abuzive që cënojnë të drejtat e autorëve

0
12

Nga Julia Vrapi

Kontrata e propozuar nga RTSH për pjesëmarrjen në festival ka ngritur shqetësime serioze në komunitetin e autorëve. “Albautor” që është organizata shqiptare për administrimin kolektiv të të drejtave të autorit në fushën e muzikës shprehet, se këto dispozita cënojnë drejtpërdrejt të drejtat e autorëve ndaj po punon për një kontratë të re. Agjencia “Albautor” u bën thirrje autorëve të mos e nënshkruajnë kontratën dhe po punon për një standard të ri, të drejtë dhe ligjor. “Kontrata e RTSH-së për Festivalin: një problem serioz për autorët. Kontrata e RTSH për Festivalin përmban dispozita të padrejta dhe abuzive që cënojnë të drejtat e autorëve. “Albautor” është njoftuar nga anëtarët për problematikat që paraqet kontrata dhe u bën thirrje të gjithë autorëve që të refuzojnë nënshkrimin e saj. “Albautor” po punon mbi një kontratë të re që duhet të kthehet në standardin e ri për marrëdhëniet mes autorëve dhe televizioneve”, thuhet në njoftimin e agjencisë “Albautor”, që dhe më parë në qëndrimet e saj për çfarë ndodh në fushën e muzikës ka ngritur shqetësime me të drejtat e autorit në vendin tonë. “Albautor” në vijim shpreh shqetësimin, se kontrata përbën një përpjekje për të bërë që autori të heqë dorë nga të drejtat e tij ligjore, përfshirë shpërblimet nga administrimi kolektiv.  Sipas kësaj agjencie, kjo klauzolë është e paligjshme dhe synon të shmangë detyrimin që transmetuesi ka për të paguar tarifat përkatëse pranë “Albautor”. “Në një nga pikat e kontratës, parashikohet shprehimisht që autori, me nënshkrimin e saj, heq dorë nga çdo pretendim ndaj RTSH, përfshirë edhe shpërblimet nga administrimi kolektiv, një përcaktim ky tërësisht i paligjshëm, sepse nënkupton shmangien e detyrimit ligjor që transmetuesit detyrimisht duhet të kryejnë pranë agjencisë “Albautor””, vijon më tej deklarata e “Albautor” e ndarë në rrjete sociale. Në fund “Albautor” nënvizion se kontrata me autorët nuk është një procedurë burokratike , që duhet përmbushur, por pikënisja e çdo shfrytëzimi të drejtë dhe të ligjshëm të veprave të tyre.

Mbrojtja e të drejtave të autorit

Kompozitorët në fushën e muzikës kanë shprehur ndër vite disa shqetësime të përsëritura lidhur me të drejtat e autorit në vendin tonë. Në këtë kontekst, çështja e kontratës së Festivalit të Këngës në RTSH rikthen në vëmendje debatet e kahershme mbi mbrojtjen reale të të drejtave të autorit në vend. Autorët kërkojnë garanci të qarta ligjore dhe respektim të plotë të detyrimeve, që rrjedhin nga përdorimi i veprave të tyre. Por ndërsa problemet për të drejtën e autorit kanë sjellë edhe më parë reagime të autorëve të ndryshëm, kritikat e tyre kanë vijuar edhe në drejtim të institucioneve për zbatimin e ligjit. “Albautor” vepron si organizatë e administrimit kolektiv të të drejtave të autorit sipas dispozitave të Ligjit nr. 35/2016 “Për të drejtën e autorit dhe të drejtave të tjera të lidhura me to” të Republikës së Shqipërisë, i cili rregullon mbrojtjen dhe administrimin e të drejtave të autorit. Si agjenci e administrimit kolektiv, “Albautor” licensohet nga Ministria e Kulturës.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here