Një rrëfim i fuqishëm për kujtesën dhe humbjen, drama “Babai” në skenë

0
18

Nga Julia Vrapi

Drama tronditëse “Babai” do të ngjitet në skenën teatrore. Teatri bashkëkohor shpesh guxon të prekë plagë të heshtura të shoqërisë, duke i kthyer ato në përvoja të thella artistike. Në këtë frymë, “Babai” i Florian Zeller-it vjen si një pasqyrë e dhimbshme dhe e drejtpërdrejtë e frikës më njerëzore, humbjes së vetvetes. Është një vepër që nuk kërkon vetëm vëmendje, por ndjeshmëri dhe përfshirje emocionale.“Babai” i Florian Zeller-it është një dramë tronditëse mbi fragmentimin e kujtesës dhe humbjen e orientimit.

“Babai” nga autori francez FlorianZeller është vepër që është ngjitur në skena të rëndësishme evropiane, por në skenën e Teatrit Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli” vjen me regji nga Erson Zymberi dhe me aktorët Viktor Zhusti, Egla Ceno, Pjerin Vlashi, Linda Jarani dhe Adriana Tolka. André, një burrë në moshë, përballet me rrëshqitjen graduale të realitetit, ndërsa vajza e tij, Ana, përpiqet ta mbajë të lidhur me botën. Kjo tragjikomedi intime na vendos përballë një përvoje universale: plakjes, demencës, lidhjes së brishtë mes babait dhe bijës, dashurisë dhe humbjes që e shoqëron.

Kjo nuk është vetëm histori mbi demencën, por një dramë njerëzore mbi kujtesën, jetën dhe kujdesin, mbi dinjitetin që lufton të mbijetojë, dhe mbi dashurinë që mbetet si dritë e fundit edhe në errësirën e harresës.“Babai” është pjesë e trilogjisë dramatike të autorit Florian Zeller-it (“Nëna”, “Babai” dhe “Djali”), një cikël që zbërthen me ndjeshmëri marrëdhëniet familjare, fragjilitetin e kujtesës dhe natyrën e paqëndrueshme të realitetit. Kjo vepër rikthehet në skenën teatrore në mbrëmjet e datave 12, 13, 14 dhe 15 shkurt.

Vepra të autorit Zeller në skenë

Vepra “Babai” konsideruar si një nga tekstet më të fuqishme dramatike të kohëve të fundit shënoi vjet premierën në muajin tetor në skenën teatrore. Shfaqja është një produksion i Teatrit Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli”, muzika është nga Endri Sina, skenograf Bekim Korça, kostumografe Sofi Kara, koreograf  Mariel Brahimllari, as/regjisor Klajdi Malellari. Ndërsa gjatë muajit janar në skenën e këtij teatri në skenë u shfaq një tjetër vepër e autorit Florian Zeller, shfaqja “Djali”me regji nga Fatos Berisha. Shfaqja “Djali” solli një dramë të fuqishme familjare për një adoleshent që përballet me depresionin dhe pasojat e divorcit të prindërve. Një rrëfim i dhimbshëm për dashurinë, fajësinë dhe rëndësinë e komunikimit. Dramaturgu francez Florian Zeller është një nga autorët më të rëndësishëm të teatrit bashkëkohor evropian. Veprat e tij, përfshirë trilogjinë familjare “Nëna”, “Babai” dhe “Djali”, janë vënë në skenë me sukses në teatro të shumta ndërkombëtare dhe janë përkthyer në dhjetëra gjuhë.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here