Nga Julia Vrapi
Opera “L’Elisir d’amore”, një histori dashurie plot humor, keqkuptime dhe ndjenja të sinqerta. Muajin që vjen kjo vepër, që mban emrin e kompozitorit italian Gaetano Donizetti vjen në skenën tonë operistike si një produksion i ri, që bën bashkë artistë shqiptarë dhe të huaj. Kjo vepër lirike e kompozitorit italian Gaetano Donizetti, e njohur për kombinimin e komikes dhe romantizmit, do të shfaqet në Teatrin Kombëtar të Operës dhe Baletit gjatë muajit të dashurisë, për katër mbrëmje radhazi. Një produksion i ri operistik, ku dirigjent është Jacopo Brusa dhe regjisor Riccardo Canessa, skenografia dhe kostumografia nga Alfredo Troisi.
Nga data 11 deri më 14 shkurt, publiku do të ketë mundësinë të shijojë interpretime të artistëve shqiptarë dhe ndërkombëtarë, një vizion artistik bashkëkohor dhe një qasje të freskët skenike. “Duke e shndërruar “L’elisir d’amore” në një nga ngjarjet më të veçanta artistike të muajit shkurt”, thuhet nga Teatri Kombëtar i Operës dhe Baletit. Opera ka libret nga Felice Romani dhe rikthehet këtë vit në skenë pas shfaqjeve të mëparshme, por si një produksion i ri operistik. “L’Elisir d’amore” sjell një element komik-romantik, që ndryshon nga opera dramatike apo baleti, duke bërë kalendarin artistik më të pasur dhe më të larmishëm këtë muaj. Gjatë gjithë karrierës së tij, kompozitori Donizetti shkroi 74 pjesë muzikore, duke përfshirë opera, kantata, psalme, etj. Baza e veprës së tij ishte melodramatizmi i thellë, talenti i madh poetik dhe një sens shumë i dashur për teatralitetin.
Premiera e operës në 1838
Premiera e “L’Elisir d’amore” është shfaqur në Milano në 12 maj 1838. Në qendër të operës është historia e dashurisë mes një vajze të pasur e kapriçoze dhe një djaloshi të ndrojtur, që ka një dashuri të madhe për të. Ardhja e një tjetër djaloshi të ri në fshat, Belkore, që është e kundërta e Nemorinos, e bën më intriguese historinë. Belkore me sharmin e tij e bën për vete Adinën, ndërsa Nemorino mendon që ky njeri i “mrekullueshëm” bën tamam për zgjidhjen e hallit të tij dhe kërkon patjetër që të përfitojë nga fati i madh, që i ka ardhur në derë. Plot me shpresë i kërkon Dulkamares, nëse ai posedon “Eliksirin e dashurisë së mbretëreshës Izota”, për të bërë të vetën Adinën. “L’Elisir d’amore” ka qenë opera më e shfaqur në Itali në vitet 1838-1848 dhe është pjesë e repertorit botëror të operave. Vepra përfshin arien e njohur “Una furtive lagrima”.


































