Justina Aliaj: Të luash Nënë Terezën në skenë është një përgjegjësi e jashtëzakonshme

0
46

Monodrama “And’rra e Nan’ Terezës – njerëzorja hyjnore” është një rrëfim i thellë shpirtëror dhe artistik mbi jetën, sakrificën dhe dashurinë universale të Nënë Terezës, që këtë janar u ngjit në skenën teatrore përmes një interpretimi mjeshtëror nga aktorja e mirënjohur Justina Aliaj. Vepra pati premierën e saj në muajin dhjetor në skenën e Teatrit “Migjeni” në Shkodër dhe më pas u shfaq edhe në skenën e Teatrit Kombëtar në Tiranë, duke zgjuar interes dhe emocione të forta te publiku. Kjo është monodrama e parë e dedikuar figurës së papërsëritshme të Nënë Terezës, ku Justina Aliaj, “Mjeshtre e Madhe”, përcjell mesazhe të fuqishme mbi humanizmin, sakrificën dhe dimensionin njëkohësisht njerëzor dhe hyjnor të shenjtores shqiptare. Përmes një interpretimi të ngjeshur emocionalisht dhe artistikisht të fuqishëm, në skenë shpaloset personaliteti i Nënë Terezës në të gjitha përmasat e tij, përulësia, forca shpirtërore, vendosmëria, sakrifica dhe dashuria e pakushtëzuar për njeriun.

intervistën për gazetën “SOT”, zonja Aliajrrëfen për punën intensive me këtë vepërteatrore, sfidën e mishërimit të një figure kaq madhore dhe ndikimin shpirtëror që roli i Nënë Terezës ka pasur tek ajo. Ajo tregon se ky rol ka qenë sfida më e madhe dhe më e ndjeshme e karrierës së saj artistike. Në këtë vepër, muzika luan një rol të veçantë, me kompozitor dhe çelist Rubin Kodheli, një bashkëpunim që i jep shfaqjes një dimension të ndjeshëm emocional dhe që për aktoren e famshme ka edhe një domethënie personale, pasi ajo bashkëpunon për herë të parë artistikisht me të birin e saj në një projekt skenik. Monodrama “And’rra e Nan’ Terezës – njerëzorja hyjnore” është shkruar nga dramaturgu Bashkim Kozelidhe vetë Justina Aliaj, me regji nga i madhi Gëzim Kame. Pas skenave të Shkodrës dhe Tiranës, kjo monodramë pritet të vijojë rrugëtimin e saj edhe në skena të tjera teatrore, brenda dhe jashtë vendit, duke përcjellë mesazhin e saj universal përtej kufijve. Për publikun ishte befasi, ishte surprizë, që u shprehën me lot në sy që kjo shfaqje është e rrallë nëditët e sotme për nga vetë realizimi i saj.

-Monodrama “And’rra e Nan’ Terezës, njerëzorja hyjnore” është një rrëfim i thellë artistik dhe shpirtëror kushtuar figurës së Nënë Terezës, që erdhi në skenë përmes një interpretimi mjeshtëror nga ju. Publiku në Teatrin e Shkodrës në dhjetor dhe më pas në Teatrin Kombëtar në Tiranë këtë janar u përfshi në një udhëtim emocional mbi jetën, sakrificën dhe dashurinë universale të shenjtores shqiptare. Si u përgatitët artistikisht dhe emocionalisht për këtë rol?

Akoma nuk e besoj që realizova ëndrrën time për ëndrrën e Nënë Terezës. Jam e bindur se kjo ka qenë sipërmarrja më e madhe e karrierës sime artistike. Çdo gjë e madhe ka rrezikun e vet, por unë kurrë nuk jam tërhequr. Kurajon e kam marrë pikërisht nga ky personalitet i jashtëzakonshëm, nga kjo emblemë që patëm fatin ta kishim shqiptare dhe njëkohësisht universale. Potenciali, karakteri dhe forca e saj më kanë dhënë impulse të pashoqe. Jam ulur mbi këtë vepër me shumë dashuri, me kureshtje të thellë dhe herë-herë me një çudi fëmijërore, sepse në gjithë mrekullinë e saj pyesja veten, çfarë është ky njeri? A ekziston vërtet një qenie e tillë? Ajo është njëkohësisht thellësisht njerëzore dhe hyjnore. Pikërisht kjo ishte shtysa, që nuk më la asnjëherë të tërhiqesha,vetë Nënë Tereza.

Ju keni interpretuar role të ndryshme dhe së fundmi erdhët në skenë me monodramënAnd’rra e Nan’ Terezës, njerëzorja hyjnore”. Ku qëndron ndryshimi mes një monodrame dhe formave të tjera të aktrimit?

Ndryshimi kryesor është se aktori duhet të krijojë partnerin imagjinar. Ai është aty, sikur flet me të, sikur e ndjen praninë e tij. Është shumë e vështirë, por njëkohësisht sfiduese, sepse me syrin e mendjes e ndërton atë partner në skenë. Në tavolinën e shtëpisë ku punoja, përpiqesha ta bëja këtë imagjinar të gjallë edhe për spektatorin. Gjithmonë them se me monodramën duhet shumë kujdes. Ajo është një grackë për aktorin, një fije floku e ndan suksesin nga dështimi. Këndvështrimi është vendimtar dhe po aq e rëndësishme është të jesh konseguent në rrugën, që zgjedh për ta ndjekur personazhin.

-Shfaqja u shoqërua me komente të shumta nga publiku, studiues dhe kritikë arti, të cilët vlerësuan me superlativa interpretimin tuaj. Çfarë ju ka falur ky reagim?

Është një privilegj i madh kur spektatori vjen, të përshëndet, të uron dhe ndan emocionin me ty. Kam lexuar shumë në fytyrat e tyre dhe kjo më ka prekur thellë. Janë emocione që artistit i japin krahë dhe kurajo në punën e tij, edhe e falenderoj sovranin gjithmonë.

Në ç’mënyrë ka ndikuar roli i Nënë Terezës në jetën tuaj shpirtërore dhe emocionale?

Nuk ka aktor që të marrë një rol dhe të mos gjejë sadopak veten brenda tij. Në shumë aspekte, karakteri i personazhit përkon me përjetimet e aktorit në jetë. Kjo është një fat i madh. Ka situata ku thua edhe unë e kam përjetuar këtë, edhe mua më kanë akuzuar padrejtësisht. Por mënyra se si Nënë Tereza përballet me kundërshtimin të mëson shumë:të jesh i prerë, të mos ikësh në heshtje. Ka ndikuar shumë tek unë, ashtu siç më thotë edhe publiku, se nga Nënë Tereza gjithmonë ke çfarë të mësosh.

Çfarë do të donit që brezat e rinj të mësojnë nga figura e Nënë Terezës përmes kësaj monodrame?

Për brezat e rinj do të përmend vetëm disa vargje nga poezia e saj:

Gjeni kohë të studioni

Është burim mençurie

Është rruga drejt lumturisë

Është çmimi i suksesit!!!

Këto fjalë i çmoj shumë dhe i artikuloj gjithmonë në shfaqje, sidomos për të rinjtë. Ena bosh bën zhurmë, ena plot ul kokën, një domethënie e thellë. Nënë Terezën se pamëkurrë me kokën lart.

Sa e vështirë ishte të mishëronit një figurë kaq të madhe historike?

Shumë e vështirë.

Përse?

Sepse, së pari, më penalizon fiziku. Nuk e kam trupin e vogël si Nënë Tereza. Do të doja shumë ta kisha pasur atë përmasë për atë rol hyjnor. Duke mos e pasur, kam kërkuar të mesmen e artë: herë duke marrë pozicionet e saj, herë jo, por gjithmonë duke e ndjerë në shpirt. Sfida ishte të zbërtheja dramën e saj të plotë. Nënë Tereza nuk është vetëm lutje dhe përkulje. Ajo është tokësore, e fortë, këmbëngulëse, e rreptë në momentet e duhura, guximtare deri në ndalimin e luftës. Këtë e ka bërë vetëm ajo. Është një figurë gjigande, ndaj i jam afruar me shumë delikatesë. Kam edhe qëndrimin tim ndaj saj, sidomos në atë “gjyq” në Parajsë në fillim tëshfaqjes, ku unë mbroj Ballkanin dhe ashpër refuzoj çdo mendim jo të drejtë për Ballkanin siç ajo bënte.

Si do të vijojë udhëtimi i kësaj monodrame?

Perspektiva është të shkojmë në qytete dhe shtete të tjera. Kjo monodramë ka rrugëtimin e vet. Do ta çojmë deri në fund, ta përcjellim kudo ku ka shqiptarë dhe edhe për publikun e huaj. Po ashtu, do të jemi pjesë e festivaleve teatrore të monodramës në botë.

Intervistoi: Juljana Vrapi

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here