Nga Julia Vrapi
Tingujt e pianos, klarinetës dhe violës vijnë këtë muaj të parë të vitit përmes një koncerti me muzikë dhome. CLAVIOTRIO hap stinën koncertore të muzikës së dhomës këtë fillim janari, në hollin koncertor të Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit, ku do të luhen jo vetëm vepra të autorëve të huaj, por edhe shqiptare. Koncerti që hap dhe stinën koncertore të muzikës së dhomës dhe zhvillohet këtë mbrëmje në hollin koncertor të TKOB-së premton të krijojë një dialog të qetë dhe harmonik mes instrumenteve, duke ofruar një përvojë të veçantë artistike për adhuruesit e muzikës klasike, por një moment i veçantë do të jetë premiera botërore e veprës “Moj e bukura more” nga kompozitori i njohur Thomas Simaku. “Një mbrëmje intime me Paola Budani në piano, Rodolf Baha në klarinetë dhe Sonila Baha në violë, të cilët do të interpretojnë 8 pjesë për violë, klarinetë dhe piano nga Max Bruch, premierë botërore nga Thomas Simaku “Moj e bukura more”, si dhe Tio për klarinetë, violë dhe piano nga Jean Francaix”, thuhet nga Teatri Kombëtar i Operës dhe Baletit rreth këtij koncerti. Ky koncert i CLAVIOTRIO-s këtë muaj të parë të vitit 2026 synon të bashkojë traditën klasike me premiera bashkëkohore, duke shënuar një hap të rëndësishëm në stinën koncertore të këtij viti, që në vijim do të sjellë të tjerë koncerte për publikun.
Motivi i këngës arbëreshe dhe vepra muzikore
CLAVIOTRIO hap stinën koncertore të muzikës së dhomës këtë fillim janari, duke sjellë për të pranishmit edhe veprën muzikore “Moj e bukura More”, ku motivi i këngës së njohur arbëreshe është burimi i kompozimit të Thoma Simakut, i cili e ka përshtatur për versione të ndryshme instrumentale dhe vokale. Kjo pjesë muzikore nga Thomas Simaku gjithashtu ka tërhequr vëmendjen e muzikantëve të rinj në disa vende europiane. Thomas Simaku është profesor i kompozicionit në Universitetin e York-ut në Angli. Kompozimet e tij interpretohen në skenat më të mëdha muzikore në botë. Është fitues i shumë çmimeve ndërkombëtare. Në vitin 2009, Simaku fitoi çmimin “Kompozitor i Vitit”, nga Akademia Britanike e Kompozitorëve. Ai ka lindur në Shqipëri në Kavajë më 18 prill të vitit 1958 dhe studioi në Akademinë e Muzikës dhe Arteve të Shqipërisë në vitet 1978-1982. U diplomua për kompozicion në Konservatorin e Tiranës, në vitet 1978-‘82 me prof. Tonin Harapin. Në vitin 1991 u largua për studime pasuniversitare në The Univesity of New York, në Angli nga 1991-’96. Përveç punës si profesor i kompozicionit në The University of New York në Angli, Thomas Simaku ka një aktivitet mjaft të pasur ndërkombëtar, ku veprat e tij janë ekzekutuar në festivale në Europë, Amerikë dhe Japoni. Muzika e tij është transmetuar nga stacione të ndryshme radiofonike si Radio-Franca, BBC-World Service, ABC (Australi), ORF (Austri), dhe stacione të tjera në Evropë.


































