Karnavalet e Polenës në Korçë, ku banorët e fshatit ruajnë traditat e festës pagane. Çdo 6 janar, Polena kthehet në skenën e një feste unike, ku banorët vishen me kostume të përgatitura nga lëkura kafshësh dhe interpretojnë role, sipas fabulave të caktuara. Një ditë më parë kryetari i Bashkisë së Korçës Sotiraq Filo u shpreh se Polena, një nga fshatrat më të bukur kthehet në skenën e një feste unike.
Sipas tij, Karnavali i lashtë i Polenës është një vlerë në trashëgiminë kulturore të Korçës. “Çdo 6 janar, Polena, një nga fshatrat më të bukur dhe me traditë të Bashkisë Korçë kthehet në skenën e një feste unike. Kjo traditë e veçantë, e ngjashme me rite të lashta të disa vendeve të Ballkanit, ka rrënjë të thella historike. Banorët vishen me kostume të punuara nga lëkura kafshësh dhe interpretojnë role sipas një fabule të trashëguar brez pas brezi. Karnavali i lashtë i Polenës është një vlerë e çmuar e trashëgimisë kulturore të Korçës, që vazhdon të ruhet me krenari”, shprehet Filo në rrjete sociale, ku ka ndarë edhe disa foto.
Karnavalet e njohura si “Arapët e Polenës”, me maska dhe veshje tradicionale me lëkurë kafshësh, simbolizojnë largimin e së keqes dhe rinisjen e vitit të ri. Të ndërprera për dekada gjatë komunizmit, këto rite janë rikthyer pas vitit 1991 në fshatin Polenë të Korçës dhe vijojnë të mbahen gjallë nga vendasit.


































