Dinamo është fituese e Superkupës së Shqipërisë për vitin 2025. Mbrëmjen e djeshme, në stadiumin kombëtar “Air Albania” në kryeqytet, Dinamo, skuadër që kishte fituar Kupën e Shqipërisë sezonin e kaluar, mposhti me përmbysje kampionët në fuqi të Superiores, Egnatian, me rezultatin 3-1, duke siguruar kështu një trofe të rëndësishëm sezonal, të parin e këtij edicioni. Kjo ka domethënien e vet, pasi mundet një rival direkt në garë, por njëherësh Dinamo për herë të dytë brenda vitit 2025 fiton një trofe të rëndësishëm të futbollit në vend.
Ndeshja
Pjesa e parë ishte spektakolare. Kjo pasi Egnatia shënoi e para dhe Dinamo u hodh e gjitha në sulm duke krijuar shumë raste shënimi dhe duke rrezikuar shumë portën e rrogozhinasve. Fillimisht për Egnatian shënoi Ruçi. Siç thamë, Dinamo humbi disa raste të pastra, e për pasojë humbi pjesën e parë 1-0, rezultat që i shkoi për shtat ekipit rrogozhinas. Në pjesën e dytë “nëndetësja” dinamovite realizoi dy gola në pjesën e dytë me Bregun dhe Nanin. Për të vulosur fatin e takimit mendoi Qefalija me golin e tij nga penalltia në fund. Dinamo e fiton trofeun e Superkupës pas 17 vitesh pritje. Dinamovitët konfirmohen makth për ekipin e Edlir Tetovës. Kjo pasi këtë vit i mposhtën edhe në finalen e Superkupës së Shqipërisë. Festa në fund ishte legjitime. Dinamo shfaqet si ekipi i vetëm, që i prishi punë kampionëve të Egnatias për këtë vit.
Tetova: Dinamo e meritoi, ne s’bëmë asgjë
Trajneri i Egnatias, Edlir Tetova, pranoi se trofeun e meritoi skuadra që luajti më mirë dhe sipas tij Dinamo ishte më lart në këtë ndeshje. “Nuk kishim asgjë në dorë. Dinamo e meritoi, mendoj që kemi bërë një gol të rastësishëm, me fat sepse rrëshqiti lojtari i Dinamos. Më pas nuk kemi bërë asgjë. Nuk e di, kishte presion. Nuk e di nga vjen. Do shikoj ndeshjen, që të jap përgjigje ose analizë më të saktë. Mund t’i japim merita Dinamos te pjesa fizike, bëri qarkullimit të topit të dendur me stacione. Ne sot nuk bëmë asgjë, ishte Superiore vetëm Dinamo. Pa marrë topin, pa luftuar, ishte Dinamo që fitonte topat. Dhe ne ishim të gatshëm pa rikuperuar topin, për të dalë në sulm duke lënë shumë hapësira. Te finalja e kaluar 120 minuta kanë folur vetëm për ne. Kështu janë finalet, dikush i luan dhe dikush i fiton. Nuk ndodhi kjo këtë ndeshje, e meritoi. Finalen e Kupës e kemi luajtur neve dhe e ka fituar Dinamo me penallti”, tha Tetova.
Bardhi: Suksesi I Dinamos I lidur me trajnerin Daja
Presidenti i skuadrës së Dinamos, Adrian Bardhi, tha pas fitores së superkupës se meritat i takojnë trajnerit Ilir Daja. “Ishte një vit shumë i bukur, që nga ardhja e Dajës i kemi pritur këto surpriza. Do vazhdojmë ta çojmë gjithmonë më mirë. Besoj edhe nga merkato. Besoj ardhja e Dajës, për mua është bërë merkato. Mbrojtës dhe sulmues? Patjetër, por trajneri Daja ka shprehur që duhet gjetur sulmuesi i duhet. Nuk është kollaj për sulmues në janar. E dimë që nuk sjell prurje të mira, do shikojmë”, tha ai.






































