Nga Julia Vrapi
Projekti për “Fjalorin e Madh të Gjuhës Shqipe” ka përfunduar dhe vitin që vjen vepra pritet të hidhet në sistemin online. Hartimi i veprës është përfunduar në një fazë të rëndësishme, duke u konsideruar si një projekt i kryer dhe i mbyllur nga redaksia, çka mundëson që të hidhet në sistemin on-line në 2026, por njëherazi të vazhdojë edhe puna për të bërë rishikime përfundimtare. Kjo u bë me dije nga mbledhja e redaksisë së “Fjalorit të Madh të Gjuhës Shqipe” (FMGjSh), projekt ky i nisur në vitin 2021, ku gjatë vitit 2024 dhe 2025, kanë përfunduar një sërë procesesh, duke përfshirë redaktimin shkencor, pasurimin e përmbajtjes dhe hartimin e materialeve mbështetëse.
Mbledhja e redaksisë së “Fjalorit të Madh të Gjuhës Shqipe” (FMGjSh) u zhvillua këto ditë dhjetori për të diskutuar dhe për të miratuar përfundimin e punës për hartimin e tij, si projekt i Akademisë së Shkencave, i nisur në vitin 2021. “Gjatë viti 2024 e gjithë lënda e hartuar u redaktua nga redaktorët shkencorë, kurse gjatë vitit 2025 secila shkronjë u pasurua nga vjeljet e pandërprera, u bë plotësimi e saktësimi i shpjegimit të brendshëm të Fjalorit duke u shtuar mbi 5.000 fjalë që nuk ishin në lëndën e vitit të mëparshëm. U bë redaktimi i përgjithshëm modelues përfundimtar, u bë korrektimi dhe redaktimi gjuhësor, si dhe përfunduan dhe hartimi i Parathënies, i Hyrjes, i sythit “Mbi ndërtimin dhe përdorimin e Fjalorit”, i Listës së shkurtimeve, i Shkurtesave, i Shprehjeve të paasimiluara, i Tabelave gramatikore, i Fjalëve të huazuara të paasimiluara plotësisht nga ana grafemore, si dhe Burimet e lëndës së vjelë e Bibliografia”, thuhet rreth këtij projekti.
Vëllimi i veprës arriti mbi 125.000 njësi
Në Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në vitin 2021 nisi puna për hartimin dhe botimin e veprës madhore “Fjalori i Madh i Gjuhës Shqipe”, por në fund të procesit hartues e redaktues, vëllimi i veprës arriti mbi 125.000 njësi (105.000 fjalë, 12.500 njësi frazeologjike, rreth 5.000 emërtime të pathjeshta të qëndrueshme, 1.600 shprehje të huaja të paasimiluara, 1.200 shkurtesa etj,) ose 10.400 faqe kompjuterike. Në mbledhjen e redaksisë më 15 dhjetor, sipas Qendrës së Botimeve Enciklopedike dhe Albanologjike, u vlerësua kujdesi, që me rritjen e vëllimit të Fjalorit (i projektuar me 90.000 fjalë e 10.000 njësi frazeologjike), të mos prekej cilësia e tij shkencore, duke synuar që kjo rritje në vëllim me lëndë të dobishme pasuruese leksikore, frazeologjike, semantike, sintagmatike, etj, të ishte vlerë e shtuar edhe për cilësinë e veprës.
Në mbledhjen e redaksisë këtë dhjetor pas diskutimeve, vërejtjeve dhe vlerësimeve u miratua njëzëri versioni përfundimtar i fjalorit, që do të kalojë në fazën e përgatitjes për publikim. “Hartimi i fjalorit tashmë quhet përgjithësisht i kryer dhe projekti i mbyllur, duke mundësuar që vepra të hidhet në sistemin on-line në vitin 2026, njëherazi duke mundësuar që të vazhdojë puna pandërprershëm për të bërë rishikime përfundimtare, për ta homogjenizuar e për ta njësuar lëndën leksikografike në shkallën më të mirë të mundshme, duke e përgatitur Fjalorin hap pas hapi edhe për botim.
Pas diskutimeve, vërejtjeve e vlerësimeve, redaksia e miratoi njëzëri veprën”, thuhet nga QBEA. Prezantimi i projektit “Fjalori i Madh i Gjuhës Shqipe” u bë në nëntor 2024 në Ditën e Alfabetit të Gjuhës Shqipe. Siç është bërë me dije më parë, “Fjalori i Madh i Gjuhës Shqipe” është një prej veprave madhore leksikografike, që pasqyron, ruan dhe hedh në përdorim pasurinë më të madhe leksikore, frazeologjike e semantike të shqipes së sotme. Projekti i veprës “Fjalori i Madh i Gjuhës Shqipe” nisi në kuadër të reformimit të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë. Ai gjithashtu është një projekt gjithëpërfshirës, i realizuar nga Akademia e Shkencave e Shqipërisë, nëpërmjet Institutit të Gjuhësisë dhe të Letërsisë, në bashkëpunim me Institutin Albanologjik të Prishtinës, si dhe me disa institucione tjera akademike në hapësirat mbarëkombëtare. Për projektin takime të gjuhëtarëve janë zhvilluar jo vetëm në Tiranë, por edhe në Prishtinë.


































