“Krishtlindjet e Humbura” në skenën e teatrit Metropol në Tiranë. “Krishtlindjet e Humbura” është një shfaqje interaktive për fëmijë që ndjek aventurën magjike të Anës dhe Kristës, dy vajzave që zbulojnë se atmosfera e Krishtlindjes në qytetin e tyre është zhdukur papritur. Dritat janë fikur, këngët kanë heshtur dhe gëzimi është tretur sikur kurrë s’ka ekzistuar…Një natë dimri, ato dëgjojnë një zë misterioz që u zbulon se festën mund ta rikthejnë vetëm, duke gjetur tre elemente: dashurinë, mirësinë dhe besimin. Kështu nis udhëtimi i tyre mes pyjeve të humbura, personazheve të çuditshëm dhe takimeve plot dritë, ku çdo hap u mëson se magjia fshihet në zemrat e njerëzve. Shfaqja ndërthur dialogun, muzikën dhe ndërveprimin me publikun, duke ftuar fëmijët të bëhen pjesë e aventurës. E si përfundon gjithçka?
Këtë, Ana dhe Krista e zbulojnë vetëm në momentin e fundit… kur misteri i Krishtlindjeve zgjidhet me ndihmën e dikujt që askush s’e pret. Autore dhe regjia në shfaqje Klesta Shero dhe në role interpretojnë: Ketjona Pecnikaj, Joana Omeraj, Deljana Topulli, Megi Bregasi, Amri Hasanlliu. Konsulente muzike Ketjona Pecnikaj, orkestrim Amri Hasanlliu, skenografia dhe kostumet Prishila Imeri. Shfaqja vijon paraditeve në skenën e teatrit Metropol edhe në datat 20 dhe 21 dhjetor. “Krishtlindjet e Humbura” në skenën e teatrit Metropol në Tiranë është në vijim dhe të atyre më parë që janë shfaqur për fëmijët. Në sezonet artistike të këtij teatri zhvillohen edhe veprimtari të tjera për fëmijët.


































