Festivali i Filmit Shqiptar rikthehet pas më shumë se dhjetë vitesh mungesë, edicioni i 14 do të zhvillohet në 2026

0
39

 

Nga Julia Vrapi

Festivali Kombëtar i Filmit Shqiptar do të ketë një rikthim të tij pas më shumë se dhjetë vitesh mungesë. Festivali i Filmit Shqiptar i ka fillesat dekada më parë dhe u zhvillua prej vitesh, si një nga ngjarjet e rëndësishme në jetën artistike dhe kulturore në vend. Ai u zhvillua për herë të fundit në vitin 2012 në vendin tonë dhe për kineastët shqiptarë ishte një event i harruar nga institucionet që duhej të zhvillohej. Por projekti i miratuar nga bordi pranë Qendrës Kombëtare të Kinematografisë rikthen dhe festivalin, që pritet të zhvillohet për katër ditë në vendin tonë në vitin 2026. Qendra Kombëtare e Kinematografisë një ditë më parë bëri me dije projektet fituese në disa kategori. Në kategorinë e “Ditë, Javë ose Festival Filmi” u shpallën fitues projektet: “Festivali i 14-të i filmit shqiptar” nga Iceberg Communication, “Retro International Film Festival” nga Begolli Production, “International Students Film Festival in Tirana (ISFFT)” nga Element Studios, “Udhëtim i ëndërrt” nga Genc Përmeti. Sa i takon Festivalit të 14-të të Filmit Shqiptar, ai rikthen pas më shumë se dhjetë vitesh traditën më të rëndësishme kombëtare të kinemasë, duke sjellë në qendër të vëmendjes krijimtarinë dhe arritjet e kineastëve shqiptarë. Në shpjegimin e projektit publikuar nga QKK bëhet me dije se: “gjatë këtyre ditëve, festivali do të bashkojë regjisorë, aktorë, producentë, kritikë dhe publikun e gjerë në një program të pasur me shfaqje filmash, konferenca shtypi, podcaste live, aktivitete artistike dhe evente rrjetëzimi, të gjitha me hyrje të lirë”. Po sipas QKK, në kategorinë e “Filmit Artistik me metrazh të gjatë- vepër e parë”, projekti fitues u shpall “Unaza” nga Klajd Papadhimitri. Në kategorinë e “Botim ose Përkthim Libri Kinematografik” u shpall fitues “Shqipëria në artin filmik të Dhimitër Anagnostit” nga Elsa Demo, ndërsa në kategorinë “Pjesëmarrje në Konferenca, Seminare, Punëtori, ose Trajnim për Kineastë”, u shpall fitues “Crew rooms intensive – Punëtori krijuese për profesionet e reja në kinematografi” nga Filter Film.

Festivali i Filmit Shqiptar ndër vite

Festivali i Filmit Shqiptar prej vitesh mungoi në jetën artistike në vend, por tradita e tij ka nisur që në vitin 1976. Festivalet e filmit lindën në mesin e viteve ‘70-të, atëherë kur ish Kinostudioja “Shqipëria e re” në vendin tonë prodhonte 14 filma artistikë në vit, mbi 30 filma dokumentarë dhe disa filma vizatimorë. Festivali i parë u mbajt në vitin 1976, festivali i dytë u zhvillua në 1977 dhe sipas materialeve më parë deri në vitet ’90-të ato u zhvilluan çdo dy vjet. Festivali i dhjetë u organizua në maj 1995; Festivali i njëmbëdhjetë u organizua në prill të vitit 2000; Festivali në edicionin e 12-të pas 6 vitesh u zhvillua në vitin 2006. Festivali i 13-të i Filmit Shqiptar u zhvillua në vitin 2012 nga data 3 deri më 9 nëntor. Aktori Robert Ndrenika ishte president i festivalit, programi ishte parashikuar 15 filma artistikë, 19 të shkurtër, 17 dokumentarë dhe 12 vizatimorë.  Shfaqja e kopjes së restauruar të filmit “Nëntori i dytë” çeli në kinema “Millenium”, Festivalin e 13-të të Filmit Shqiptar.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here