Festivali i Këngës në RTSH këtë vit do të nis mbrëmjen e datës 17 dhjetor për të vijuar dhe në datat 18, 19 dhe 20. Datat e edicionit të sivjetshëm të Festivalit të Këngës në Radio Televizionin Shqiptar që do të zhvillohet në Pallatin e Kongreseve në Tiranë u bënë me dije përmes një njoftimi në rrjetet sociale nga organizatorët. Festivali këtë vit vjen në edicioni e 64-t dhe pritet të sjellë në skenë edhe disa nga emrat e njohur të muzikës shqiptare. “Katër net magjike në Pallatin e Kongreseve! Më 17, 18, 19 dhe 20 dhjetor skena e Pallatit të Kongreseve do të ndizet nga emocionet, muzika dhe magjia e traditës. Zërat më të mirë dhe këngët më të reja do të bashkohen në edicionin e 64-të të këngës shqiptare”, shkruajnë organizatorët ndër të tjera.
Gjatë katër netëve radhazi, konkurrentët do të interpretojnë live këngët e tyre origjinale, ndërsa gara pritet të jetë e fortë. Këtë vit janë përzgjedhur 28 artistë, që do të jenë në konkurrim në Festivalin e Këngës në RTSH në edicionin e 64-t. Festivali i 64-t i Këngës në Radio Televizionin Shqiptar do të vijë për katër net me radhë për publikun, ku nata e parë dhe e dytë siç është bërë me dije më parë do të jenë netët konkurruese, nata e tretë do t’i kushtohet nostalgjisë, ndërsa nata e katërt do të jetë finalja e madhe. Festivali i Këngës në RTSH edhe pse përballet me kritika çdo vit nga krijues e artistë të ndryshëm është dhe një prej ngjarjeve muzikore kryesore në vend, por që prurjet muzikore kanë ngjallur jo pak diskutime. Fituesi i këtij edicioni do të përfaqësojë Shqipërinë në “Eurovision 2026”, që do të zhvillohet në maj të vitit të ardhshëm në Austri.

































