Teatri muzikor “Fanoliada” i konceptuar sipas veprës antologjike “Albumi” të Fan Nolit. Vepra muziko-teatrale këtë nëntor në skenë me rastin e 60-vjetorit të vdekjes së Fan Nolit. Me muzikë të Blerina Shalarit dhe me rol kryesor nga aktori i mirënjohur i teatrit kombëtar shqiptar Dritan Boriçi, vepra do të ngjitet në skenë në datën 26 nëntor në Famullinë “Zemra e Krishtit” Tiranë në orën 19:00.
Vepra “Fanoliada” vjen pikërisht në vigjilje të festave të nëntorit. Alda dhe Blerina Shalari patën një përvojë të shkëlqyer në bashkëpunimin me aktorin Dritan Boriçi me Homeriadën, një melodramë e Blerinës e luajtur në 11 shfaqje dhe me një konkurrim ndërkombëtar. Ndërkohë “Fanoliada” është një vepër që ndahet mes tre artistëve, ku interpretimin e 15 poezive të Albumit të Nolit, i shkrin në tinguj muzika e shkruar nga Blerina Shalari dhe e ndihmuar në interpretim nga Alda Shalari. Vepra i ka premierat në Ditët shqiptare në botë në Maqedoninë e Veriut në qytetet Strugë dhe Tetovë, dhe pritet të kulmojë në Tiranë në 26 nëntor 2025.
Projekt-ideja “Fanoliada” është një shfaqje e ideuar sipas konceptit të teatrit muzikor, ku në qendër të veprës qëndron teksti poetik i veprës së Theofan Stilian Nolit të titulluar “Albumi”. Kjo ide premton të sjellë në skenë një vepër, e cila bazohet mbi poezitë e Albumit, aq të njohura në Shqipëri, për të cilat është kompozuar nga një ilustrim muzikor i cili, herë shoqërohet me të kënduar, dhe herë thjeshtë me piano. Poezitë interpretohen nga aktori, kurse autorja e muzikës interpreton vetë libretin muzikor me zë dhe piano. Këtu është përfshirë edhe një koncertmaestër, Alda Shalari, e cila ndihmon në realizimin e veprës për shkak se duke qenë se janë rreth 18 numra muzikorë të rradhitura si në album, ato nuk mund të përballohen vetëm nga kompozitorja dhe interpretja kryesore.
Alda luan 8 numra të veprës. Blerina luan 10 numra si dhe dy numra në bashkërendim me Aldën dhe aktorin. Për veprën është kompozuar edhe një këngë kushtuar Fan Nolit, e kompozuar enkas për veprën. Ka ardhur koha të rivlerësohen antikuaret shpirtërore të Shqipërisë siç është Albumi i Fan Nolit, ku në skenë do të vihen 15 nga 24 poezitë e vëllimit, i cili ka hyrë tashmë në Antologjinë e letërsisë shqipe. Vepra ka një renditje pjesësh si tek “Tablo nga ekspozita të kompozitorit të famshëm rus Modest Musorgski.
Kjo vepër bazohet mbi tre shtylla tematike: E para, kombi dhe shenjat e tij, flamuri, himni; E dyta, feja dhe morali, e kërkuar mes personazheve përfaqësues, Krishti, Moisiu Kirenari, Pjetri, etj; E treta, heroi, i përkthyer në liderin e kërkuar, liderin idealist që sot na mungon, që trajtohet përmes personazheve: Bajram Curri, Luigj Gurakuqi, dhe legjendarit Maratonomak, i cili vdes për triumfin e përparimit. Kjo simbolikë tekstore dyfishohet me simbolet muzikore, të cilat finalizohen me një këngë “monument” kushtuar profetit të kulturës shqiptare Fan Nolit, krijuar enkas për veprën me tekst e muzikë. Vepra jep mesazhin e triumfit të përparimit, të vlerës njerëzore mbi gjithçka. Vepra është një tablo peizazhike e natyrës e përzier me lirizmin dhe epizmin shqiptar.

































