Komedia “Si ta doni” e Shekspirit nga Teatri Kombëtar hap festivalin e teatrit “Moisiu” në Prishtinë

0
30

Nga Julia Vrapi

“Si ta doni”, një komedi nga Shekspiri do të hapë festivalin e teatrit “Moisiu”, që këtë vit zhvillohet në Prishtinë në Kosovë. Trupa teatrore nga Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia e Veriut këtë vit në garën e festivalit teatror “Moisiu”. Komedia romantike për dashurinë dhe lirinë nga William Shakespeare, produksion i Teatrit Kombëtar në Tiranë me regji nga John Blondell hap këtë festival mbrëmjen e datës 22 nëntor dhe do të shfaqet në Sallën e Kuqe në Prishtinë. Festivali është një projekt i ndërmarrë nga Teatri Kombëtar i Kosovës, Teatrit Kombëtar i Shqipërisë, dhe Teatrit Shqiptar i Shkupit në Maqedoninë e Veriut dhe edicionin e tij të dytë e zhvilloi në Tiranë. Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit Blendi Gonxhja shprehet se festivali i teatrit shqiptar “Moisiu” në edicionin e tij të tretë, është platforma më e rëndësishme e bashkëpunimit ndërmjet institucioneve teatrore të hapësirës shqiptare. “Festivali “Moisiu” zhvillohet midis Shqipërisë, Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut, duke sjellë këtë edicion në Prishtinë trupat kryesore teatrore, dhe disa nga shfaqjet më të spikatura të sezonit”, shprehet Gonxhja në një postim në rrjete sociale. Sipas tij, edicioni i këtij viti sjell diversitet artistik, interpretime moderne dhe një shkëmbim krijues që e prek publikun e të gjitha moshave. “Prishtina kthehet për gjashtë ditë në kryeqytetin e teatrit shqip, duke afirmuar rolin e festivalit si urë bashkëpunimi kulturor në rajon”, shprehet ministri i MTKS. Festivali ka karakter garues dhe në fund të tij do të ndahen dhe çmimet nga juria e festivalit. Festivali që nisi si iniciativë e Teatrit Kombëtar të Kosovës, Teatrit Kombëtar të Shqipërisë, dhe Teatrit Shqiptar të Shkupit duhej të zhvillonte vjet edicionin e  tretë në Prishtinë. Edicioni i parë i këtij festivali u mbajt në Shkup, edicioni i dytë në nëntor 2023 në Tiranë dhe vjet në nëntor duhej të zhvillohej në Prishtinë. Por pas futjes në grevë të përgjithshme të Shoqatës Sindikale të Artistëve të Teatrit Kombëtar të Kosovës, tre teatrot morën vendimin për anulimin e festivalit një vit më parë në Prishtinë. Edicioni i tretë i festivalit që nuk u zhvillua një vit më parë, po zhvillohet këtë vit në Prishtinë.

Programi i festivalit

Festivali nis më datë 22 nëntor këtë vit dhe vijon deri më datë 27 këtë muaj. Në datë 22 nëntor në skenë janë shfaqet “Si ta doni”  nga Teatri Kombëtar, Tiranë dhe “Një dorëzim në Spokan” – Teatri Oda, Prishtinë. Në datën 23 nëntor në skenë do të jetë  “Vojcek” nga Teatri “Hadi Shehu”, Gjakovë dhe “Na ishte njëherë” nga teatri “Andon Zako Çajupi”, Korçë. Në datë 24 nëntor në festival është shfaqja “Martesa” nga Teatri Kombëtar, Prishtinë; në datë 25 nëntor në skenë në Prishtinë do të jetë shfaqja “Babai” produksion i Teatrit Kombëtar Eksperimental, Tiranë dhe po këtë datë dhe shfaqja “Marrëdhëniet”- Teatri i Qytetit, Gostivar. Në datën 26 nëntor në skenë janë shfaqjet “Në përballje me vdekjen” – Teatri i Tetovës dhe  “Komedía e zezë” nga Teatri “Bekim Fehmiu”, Prizren, ndërsa mbrëmja e datës 27 nëntor do të jetë në Prishtinë ceremonia mbyllëse e festivalit.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here