Nga Julia Vrapi
Panairi i Librit në Tiranë një ngjarje e rëndësishme kulturore, që mes librave, titujve të rinj në stenda e aktiviteteve të ndryshme sjell në vëmendje dhe problemet me të cilat përballet prej vitesh sektori i librit në vend. Panairi i Librit, që po vijon në Pallatin e Kongreseve në Tiranë këtë nëntor nisi të mërkurën edicionin e 28-të tij. Një ngjarje e rëndësishme kulturore me në qendër librin, ku botuesit një ditë më parë sollën në vëmendje dhe një sërë problemesh me të cilat përballen në punën e tyre. Pirateria, bibliotekat që janë në situatë katastrofike apo dhe numri në rënie i librarive në vendin tonë, janë disa prej problemeve për të cilat ata u shprehën në ditën e parë të Panairit të Librit në Tiranë. Kryetari i Shoqatës së Botuesve Shqiptarë Petrit Ymeri, si dhe të tjerë botues shprehen se edhe pse këto janë problematika që janë bërë me dije prej vitesh, situata vijon e vështirë në punën e tyre. “Nuk është dita për t’u ankuar, por botuesit kanë probleme të mëdha të punës me librin, duke filluar që nga pirateria digjitale dhe ajo në shtypshkrime, bibliotekat që janë në situatë katastrofike, si dhe numri në rënie i librarive”, u shpreh Ymeri, sipas të cilit për këto probleme askush nuk i ka dëgjuar e marrë masa serioze dhe kjo situatë është e vështirë. Panairi i Librit në Tiranë organizohet si çdo vit nga Shoqata e Botuesve Shqiptarë, që dhe pse mes vështirësive që hasen çdo edicion e sjell panairin edhe me aktivitete të shumta. Për kryetarin e Shoqatës së Botuesve Shqiptarë Petrit Ymerin, edicioni i 28-të i panairit vjen në një moment kur letërsia shqipe po jep vepra shumë të mira që mirëpriten nga lexuesit. “Shqipëria ende nuk ka hyrë në Evropë, por ne botuesit shqiptarë jemi në Evropë prej shumë e shumë vitesh. Jo vetëm me veprat që botojmë, jo vetëm me kryeveprat që përkthehen nga shumë gjuhë evropiane e përtej, por ne jemi pjesë e Evropës edhe me projektet evropiane më të rëndësishme të librit”, vijoi botuesi Petrit Ymeri ndër të tjera. Në ceremoninë e nisjes së Panarit të Librit në Tiranë në Pallatin e Kongreseve ishin të pranishëm Petrit Ymeri kryetar i Shoqatës së Botuesve Shqiptarë, Ina Zhupa, kryetare e Komisionit të Kulturës, Turizmit dhe Diasporës, drejtoresha e Qendrës Kombëtare të Librit dhe Leximit Alda Bardhyli, Alessandro Ruggera, drejtori i Institutit Italian të Kulturës, botues të ndryshëm, etj.
Mospasurimi i fondit të bibliotekave në rrethe me libra
Edhe për botuesin Frano Kulli problemet me të cilat ata përballen prej vitesh nuk kanë gjetur zgjidhje, ndërsa kritikat kanë vijuar edhe në drejtim të institucioneve përgjegjëse, që merren me politikat për librin në vendin tonë. Herë pas here në reagimet e tij botuesi i njohur Frano Kulli ka sjellë edhe më parë në vëmendje problemet në fushën botimeve, por gjithashtu ai thotë se bibliotekat janë në një gjendje katastrofike. Sipas tij, bibliotekat e qyteteve janë pronë publike, për të cilat entet shtetërore kanë detyrimin të kontribuojnë për mirëfunksionimin e tyre dhe për nxitjen e leximit. “Janë probleme që prej vitesh nuk kanë gjetur ndonjë zgjidhje. Ne sot kemi biblioteka nëpër rrethe, që janë në situata katastrofike. Ka vite e vite që ka biblioteka publike që nuk blejnë libra, nuk pasurojnë fondet e tyre dhe presin dhurata, që dhuratë mund të vijë çdo lloj libri. Një institucion shtetëror si biblioteka u mbaka me libra të dhuruar? Unë bashkohem me çfarë shpreh edhe kryetari i Shoqatës së Botuesve Shqiptarë Petrit Ymeri. Si rezultat i gjithë këtyre faktorëve që lidhen me qarkullimin e librit, me mbështetjen, me politikat librore në vend jemi tek kjo pikë. Libri nuk mbahet gjithmonë me forcën financiare të autorëve e botuesve, pa asnjë lloj suporti shtetëror, atë që bën në gjithë botën në mënyrë të tërthortë bibliotekat. Nuk është fjala se shteti ka për të financuar shtëpitë botuese. Jo. Por shteti sigurisht ka bibliotekat publike, që në mënyrë të tërthortë më pas vënë gjithë mekanizmin në lëvizje”, thotë botuesi Frano Kulli. Edhe në Panairin e të Librit në Tiranë, “Botimet Fishta” janë me botimet më të zgjedhura dhe librat më të rinj. Botuesi Frano Kulli sjell në vëmendje dhe bashkëpunimin e tyre me shtëpinë botuese “Drita” të Kosovës. “Si çdo vit shtëpitë botuese kryesore të Kosovës janë në panair. Ne me botimet tona kemi gjithmonë bashkëpunim me “Dritën” e Kosovës, si një prej shtëpive botuese shumë prestigjioze atje. Ne kemi bashkëpunim të përhershëm, ashtu siç ne shkojmë në Panairin e Librit të Prishtinës edhe këta vijnë tek ne në panair në kuadër të bashkëpunimeve”, thotë Frano Kulli botues dhe një ndër studiuesit e publicistët më të spikatur të vendit. Enti Botues “Gjergj Fishta” (Botimet Fishta) është themeluar në vitin 1993 në Lezhë. Mban emrin e poetit, shkrimtarit dhe intelektualit të shquar, akademikut Gjergj Fishta, madje edhe profili i editorisë së ndjekur ka qenë e vazhdon të jetë botimi dhe ribotimi kryesisht i letërsisë së traditës kombëtare.
Panairi i Librit deri më 16 nëntor në Pallatin e Kongreseve
Panairi i Librit në Tiranë mbetet një nga ngjarjet më të rëndësishme kulturore të vitit dhe në edicionin e 28-të të tij marrin pjesë rreth 100 shtëpi botuese nga Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia e Veriut. Midis shumë ngjarjeve letrare të këtij panairi, është edhe përzgjedhja e veprave më të mira për vitin 2025, për çmimet e panairit. Në Panairin e Librit në Tiranë juria e edicionin të 28-të përbëhet nga Elsa Skënderi Rakipllari studiuese, pedagoge e letërsisë UT kryetare e jurisë, Beti Njuma- gazetare, përkthyese; Maniela Sota -përkthyese; Teuta Dhima – bibliotekare, publiciste dhe Zija Vukaj përkthyes, studiues i letërsisë. Ceremonia e ndarjes së çmimeve të panairit do të mbahet në datën 15 nëntor. Por deri më 16 nëntor, publiku do të mund të vizitojë stendat e shtëpive botuese në panair, të takohet me shkrimtarët e përkthyesit, të blejë botime me çmim të reduktuar, por edhe të marrë pjesë në aktivitetet promovuese. Tema e përzgjedhur për edicionin e këtij viti të Panairit të Librit në Tiranë është një shprehje e shkrimtarit Ismail Kadare: “Ndërgjegjja jonë ka nevojë për librat”. Përgjatë ditëve të panairit zhvillohen aktivitete të ndryshme, ku mes tyre që është edhe “Sofaja e librit”, një format letrar që siç bënte me dije më parë Shoqata e Botuesve Shqiptarë bën pjesë tashmë në Panairin e Librit që prej vitit 2021. Si çdo vit Panairi i Librit në Tiranë organizohet nga Shoqata e Botuesve Shqiptarë, që është e themeluar në vitin 1992 me seli në Tiranë dhe zhvillon aktivitetin e saj në të gjitha qytetet e vendit, por edhe jashtë saj.


































