Altin Dumani rrëzoi plotësisht akuzat e Sali Berishës, i cili është shprehur se kreu i Prokurorisë së Posaçme ka intimiduar prokurorin Dritan Prençin, për të mos vazhduar hetimet ndaj zëvendëskryeministres Belinda Balluku, e cila akuzohet për shkelje të barazisë në tendera, konkretisht në atë të tunelit të Llogarasë.
Në një intervistë në emisionin “Trialog” me Alba Alishanin në RTSH 1, Dumani theksoi se prokurorët e posaçëm janë “Zot” të çështjes së tyre, dhe si rrjedhojë puna e tyre nuk mund të diktohet, devijohet apo manipulohet.
“Nuk i komentoj deklaratat politike, por ajo që theksoj është kjo: prokurorët e posaçëm janë të pavarur, janë zot të çështjes. Si drejtues i SPAK kam ofruar për prokurorin e çështjes, për arsye konkrete, gjithmonë mbështetjen time, solidaritetin tim, sa herë ka qenë e nevojshme ndihma ime. Në rastin konkret asgjë nuk qëndron, nuk është e vërtetë. Prokurori Prenci ka mbështetjen time për këtë çështje dhe të tjerat”,- tha Dumani.


































