Shfaqja teatrore “Fëmijët” e frymëzuar nga vepra e fuqishme e Lucy Kirkwood, “Fëmijët” ngre pyetje që na prekin të gjithëve: çfarë i detyrohemi brezave që vijnë dhe botës që do t’u lëmë pas? Një dramë që të bën të ndalesh e të mendosh për të ardhmen në skenën e teatrit Metropol në datat 23-24-25-26 tetor. “Fëmijët” nga autorja britanike Lucy Kirkwood vjen në skenë me regji nga Eric Vigner. Ngjarja zhvillohet në një shtëpi të thjeshtë buzë detit, pas një katastrofe bërthamore që ka ndryshuar përgjithmonë jetën e personazheve. Hazel dhe Robin, dy ish-shkencëtarë bërthamorë, përpiqen të mbajnë gjallë një përditshmëri të zakonshme mes mungesave, frikës dhe rrezikut të ndotjes. Në këtë qetësi të brishtë, rikthimi i papritur i Rozës, një kolege e së shkuarës, sjell me vete një kërkesë që vë në pikëpyetje gjithçka që ata kanë ndërtuar. Nën regjinë e Eric Vigner shfaqja vjen me interpretimet e tre aktorëve të njohur dhe në role janë Luiza Xhuvanit, Yllka Mujos dhe Vasjan Lamit. As. regji Jutta Johanna Weiss, përkthyes dramatik Arben Leskaj, skenograf dhe formulues muzikor Rael Hoxha, kostumograf Frenci Gjerasi, asistent skenograf Rogert Bruzja. Eric Vigner është regjisor dhe skenograf francez, por ka bashkëpunuar edhe më parë me teatrot në vendin tonë. Shfaqje me regji prej tij janë vënë më parë në Teatrin Kombëtar, përmendim “Berberi i Seviljes” apo “Lukrecia Borxhia”. Në vijim të aktivitetit artistik në teatrin Metropol këtë shtator me regji prej tij vjen drama “Fëmijët”.