Nga Julia Vrapi
Pjesë nga veprat operistike në skenën e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit vijnë në “Kohë në pentagram”. Një mbrëmje muzikore kushtuar 70-vjetorit të lindjes së regjisorit Nikolin Gurakuqi, një prej emrave më të rëndësishëm të skenës shqiptare. Opera “Tosca”, “Carmen”, “Aida”, “Falstaff”, “Il trittico”, “Otello” e shumë të tjera janë vënë në skenën tonë nga regjisori Nikolin Gurakuqi, ndërsa aktiviteti i tij artistik është mirëpritur edhe jashtë vendit. “Kohë në pentagram” zhvillohet mbrëmjen e datës 18 tetor, ku publiku do të udhëtojë ndër vite përmes kryeveprave të repertorit botëror, nga Verdi, Puccini e Bizet, deri te Rossini e Mascagni. Një mbrëmje gala, që do të ngjisë në skenë artistët e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit, për të sjellë për publikun arie apo skena operash që janë vënë në skenë më parë. “Kohë në pentagram” zhvillohet nën drejtimin muzikor të maestro Edmond Doko dhe Dritan Lumshit, me pjesëmarrjen e Solistëve, Korit dhe Orkestrës Simfonike të Teatrit Kombëtar të Operës, Baletit dhe Ansamblit Popullor. Ndërsa sipas teatrit vjen një udhëtim artistik në pentagramin e kohës, aty ku muzika dhe kujtimet flasin një gjuhë të përjetshme. Regjisori Nikolin Gurakuqi më 25 korrik 2025 festoi dhe 70-vjetorin e tij. Opera “Goca e Kaçanikut” vepër operistike shqiptare e kompozuar nga Rauf Dhomi, që u shfaq në 2024 në Prishtinë dhe në Tiranë është edhe vepra më e fundit në vijim të aktivitetit të tij artistik. Me regjinë e regjisorit Nikolin Gurakuqi “Mjeshtër i Madh” opera në TKOB u shfaq më 25 nëntor 2024 edhe si një homazh për Festën e Flamurit, nga Orkestra dhe Kori i Operës së Kosovës dhe Trupa e Baletit Kombëtar të Kosovës, nën dirigjimin e maestros Edon Ramadani.
Mbi 80 produksion operistike
Nikolin Gurakuqi “Mjeshtër i Madh” ka realizuar mbi 80 produksione operistike në TKOBAP, Universitetin e Arteve, qytete të ndryshme të Shqipërisë dhe jashtë saj Itali, Greqi, Kosovë. Prej më shumë se katër dekadash ka kontribuar në zhvillimin e artit skenik shqiptar. Rrugëtimi i tij artistik nisi në vitin 1979 në skenën e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit, fillimisht si korist, e më pas si solist ku realizoi një sërë rolesh të ndryshme, ku mund të përmendim, Gjergj Arianiti nga opera “Skënderbeu”; Mateo, opera “Paja”; Komandanti, opera “Borana”; Deloja, opera “Nëna e trimave”; Il Marchese, opera “La Traviata”; Don Bartolo, opera “Il barbiere di Siviglia”; Colline, opera “La Boheme”; Ferrando, opera “Iltrovatore”; etj. Ka interpretuar role edhe jashtë vendit si në Francë e Itali. Pas një specializimi në Francë në vitet ’92-’93, Nikolin Gurakuqi iu përkushtua regjisë, duke sjellë në skenat shqiptare dhe ndërkombëtare një frymë të re interpretimi, një vizion bashkëkohor dhe një ndjeshmëri të thellë dramatike. Disa nga veprat më të njohura që mbajnë firmën e tij regjisoriale janë: “Tosca”, “Il signor Bruschino”, “Carmen”, “Aida”, “Falstaff”, “Il trittico”, “Manon Lescaut”, “Otello”, “Rigoletto”, “Një ballo me maska”, “Goca e Kaçanikut”, e shumë të tjera. Si pedagog pranë Universitetit të Arteve dhe mentor i dhjetëra artistëve të rinj, ai ka ndikuar në formimin profesional të shumë brezave të këngëtarëve lirikë shqiptarë.
































