“La Traviata” në Opera, sopranoja Eva Golemi: Rolin e Violettës e kam luajtur mbi 50 herë në skenë

0
65

Nga Julia Vrapi

“La Traviata” e autorit Giuseppe Verdi si një produksion me regji Hugo de Ana katër mbrëmje në skenën e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit. Në qendër të “La Traviatës” qëndron historia prekëse e Violettës, gruas që sfidoi normat e kohës dhe guxoi të jetojë dashurinë e saj deri në fund. Sopranoja e njohur Eva Golemi që e ka interpretuar këtë rol në skena brenda dhe jashtë vendit, e cilëson Violettën një nga rolet e saj më të dashura. Eva Golemi është një ndër zërat lirikë kryesor që ka Teatri Kombëtar i Operës dhe Baletit në Tiranë. Në karrierën e saj operistike numëron shumë role të rëndësishme, brenda vendit, por edhe në skenat evropiane, por për publikun sopranoja do të ngjitet sërish këtë shtator në skenë në kryeveprën e Verdit. Sopranoja tregon se ka më shumë se 20 vjet që e luan në skena këtë rol. “Vepra operistike vjen në skenë me regji nga Hugo de Ana, një nga regjisorët më të mëdhenj. Dirigjent është Francesco Ommassini. Violetta te “La Traviata” për mua është një nga rolet më të dashur, që e kam luajtur shumë në skenë. Kam 25 vjet që e luaj në skenë brenda dhe jashtë vendit. E kam luajtur mbi 50 herë këtë rol” u shpreh sopranoja Eva Golemi një ditë më parë për shfaqjen operistike, që do të jetë katër net në TKOB. Teatri Kombëtar i Operës dhe Baletit shprehej më herët ndër të tjera se ky produksion i operës “La Traviata” është i sjellë nga Teatri i Zagrebit. Një nga kryeveprat më të dashura të autorit Giuseppe Verdi, “La Traviata” vjen në TKOB në një produksion të ri që mban firmën e regjisorit Hugo de Ana në datat 26, 27, 28 dhe 29 shtator dhe në rolet e saj do të ngjiten në skenë artistë të njohur shqiptarë dhe të huaj.

Ngjarjet në “La Traviata”

Jeta mondane e Parisit të fundshekullit të 19-të, sallonet aristokrate, dashuria, mllefet dhe intrigat në historinë e Violettës dhe Alfredos, janë në operën “ La Traviata” të Verdit. “La Traviata” është një opera me tre akte nga Giuseppe Verdi (Xhuzepe Verdi) e vendosur në një libret italian nga Francesco Maria Piave, ajo është e bazuar në “La Dame aux Camelias” (1852) shkruar nga Alexandre Dumas. Te vepra “La Traviata” bëhet fjalë për një histori të një kurtizaneje, e cila dashurohet me një fisnik, por i ati i djalit e pengon dashurinë e tyre. Në qendër të veprës është kurtizania Violeta Valery, që për hir të dashurisë me fisnikun Alfredo Germont, braktis jetën prej kurtizaneje. Premiera e parë u zhvillua në teatrin “La Fenice” në 6 mars të viti 1853. Giuseppe Verdi (1813-1901) është kompozitori më njohur i operës italiane, jo vetëm i shekullit XIX. Në materiale më parë sipas studiuesve thuhej se në historinë e gjatë të operës, Verdi zë vendin e nderit, sepse arriti të bashkojë traditat më të bukura të operës italiane, të mbetet thellësisht kombëtar.  Historia tragjike e Violettës e mbështetur mbi romanin “Zonja me kamelie” e Aleksandër Dyma ka ardhur edhe më parë në skenën e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit, por këtë shtator katër vjen mbrëmje për publikun.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here