Opera “La Traviata” vepër e Verdit sipas vizionit të regjisorit Hugo de Ana premierë në Tiranë

0
34

Nga Julia Vrapi

Opera “La Traviata” nga kompozitorit Giuseppe Verdi do të vijë në skenën e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit si një produksion i ri. “La Traviata” e Verdit sipas vizionit të regjisorit me famë botërore, Hugo de Ana këtë sezon artistik vjen premierë në Tiranë. Teatri Kombëtar i Operës, Baletit sjell një nga kryeveprat më të dashura të autorit Giuseppe Verdi, “La Traviata” në një produksion të ri që mban firmën e regjisorit me famë botërore, Hugo de Ana. “La Traviata” është një opera me tre akte nga Giuseppe Verdi (Xhuzepe Verdi) e vendosur në një libret italian nga Francesco Maria Piave, ajo është e bazuar në “La Dame aux Camelias” (1852) shkruar nga Alexandre Dumas. Teatri Kombëtar i Operës dhe Baletit shprehet ndër të tjera se ky produksion, i sjellë nga Teatri i Zagrebit, do të jetë pjesë e një shfaqjeje të jashtëzakonshme për publikun shqiptar. “Duke e vendosur TKOBAP-në në të njëjtin nivel me teatrot prestigjiozë që kanë pasur privilegjin të bashkëpunojnë me mjeshtrin Hugo de Ana. Nën vizionin e tij të fuqishëm artistik, historia e Violettës merr jetë përmes një skenografie monumentale dhe një gjuhe vizuale që tejkalon kohët, duke e sjellë këtë kryevepër deri në ditët tona”, thuhet nga Teatri Kombëtar i Operës dhe Baletit (TKOB), ku në vijim do të bëhen me dije dhe datat kur kjo vepër operistike do të jetë në skenë sezonin e ri artistik që nis së shpejti. Historia tragjike e Violetës e mbështetur mbi romanin “Zonja me kamelie” e Aleksandër Dyma ka ardhur edhe më parë në skenën e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit, por këtë herë do të vijë si një produksion i teatrit të Zagrebit, duke u bërë pjesë dhe e shfaqjeve të tjera që do të jenë këtë sezon artistik në skenën tonë.

Opera “La Traviata”

Opera “La Traviata” bën pjesë tek e ashtuquajtura sipas historisë së muzikës triologji popullore, ku bëjnë pjesë tre operat “Il Trovatore”, “Rigoletto” dhe “La Traviata”, të cilat janë tre operat më të shfaqura në botë. Te “La Traviata” bëhet fjalë për një histori të një kurtizaneje, e cila dashurohet me një fisnik, por i ati i djalit e pengon dashurinë e tyre. Në qendër të veprës është kurtizania Violeta Valery, që për hir të dashurisë me fisnikun Alfredo Germont, braktis jetën prej kurtizaneje. Premiera e parë u zhvillua në teatrin “La Fenice” në 6 mars të viti 1853. Giuseppe Verdi (1813-1901) është kompozitori më njohur i operës italiane, jo vetëm i shekullit XIX. Në materiale më parë sipas studiuesve thuhej se në historinë e gjatë të operës, Verdi zë vendin e nderit, sepse arriti të bashkojë traditat më të bukura të operës italiane, të mbetet thellësisht kombëtar, t’u shmanget elementeve negative të operës italiane, të përthithë elementet pozitive që ishin shfaqur në artin e operës në shekullin XIX, madje edhe disa elemente të reformës së Vagnerit dhe të realizimit të letërsisë së kohës. Ai mbetet si njëri ndër kompozitorët më të njohur të botës në historinë e operës.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here