Auron Tare: Shokë të MEKI-t mos u tallni me taksapaguesit tuaj

0
37

Nga Julia Vrapi

Shpella e Spilesë monument kulture sipas Ministrisë së Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit do të rijetëzohet, por projekti solli një ditë më parë dhe reagimin e studiuesit Auron Tare, i cili i drejtohet ministrisë që të mos tallet me taksapaguesit shqiptarë. Pas denoncimit më parë të studiuesit Auron Tare se në hyrje të kësaj shpelle po ndërtohet një lavazh, pretendim që u hodh poshtë nga ministria, studiuesi reagoi të mërkurën duke u shprehur se MEKI përdor imazhet e shpellave në Kinë për shpellën e Spilesë në Himarë. Studiuesi Tare e nis reagimin e tij duke i kërkuar ministrisë që të jenë më seriozë. “Shokë të MEKI-t, të jemi pak më seriozë dhe mos u tallni me taksapaguesit tuaj. Reagimi i MEKI-t për një shkrim modest timin mbi gjendjen faktike të Shpellës së Spillesë në Himarë më bëri të mendoj se ky institucion e kishte seriozisht ndërhyrjen dhe shpëtimin e këtij monumenti të kategorisë së parë nga braktisja dhe lavazhot përqark. Për këtë arsye e pashë me vëmendje si tekstin, ashtu edhe 3 imazhet që shoqëronin tekstin. Duke e ditur se në Shqipëri nuk ekzistojnë specialistët e mirëfilltë të interpretimit të mitologjisë antike në imazhe moderne të inteligjencës Artificiale, isha shumë i surprizuar të shikoj fotot nga “projekti” i supozuar i MEKI-t”, shprehet Tare në reagimin e tij në rrjete sociale. Në vijim Tare sjell në vëmendje dhe një projekt të Universitetit të Sydney-t, Pekinit dhe Operës së Pekinit, duke shtuar se lajmi i MEKI-t që kishte një projekt për shpellën e intrigoi, por në fund u kthye në zhgënjim. “Kam pasur fatin që, 10 vite më parë, në Singapor, si pjesë e një delegacioni të UNESCO-s, të shikoja ndoshta projektin e parë me IA të ri – interpretimin e mitologjisë antike kineze, të zbuluara në një shpelle unike diku në shkretëtirat e Kinës. Ishte një projekt shumë ambicioz, ku Universiteti i Sydney-t, Pekinit dhe Opera Shtetërore e Pekinit kishin rikrijuar të gjitha imazhet e shpellës bazuar në imazhet  e pikturuara dhe gërmimet arkeologjike me Inteligjencë Artificiale dhe i përdornin për turizëm edukativ dhe kulturor. Prandaj, lajmi se MEKI kishte një projekt për shpellën më intrigoi. Por kurioziteti u kthye në zhgënjim dhe pastaj në qeshje pa fund”, shprehet studiuesi në reagimin e tij.

Projekti kërkon specialistë të mirëfilltë

Ministria e Ekonomisë, së Kulturës dhe Inovacionit për projektin e rijetëzimit të shpellës bëri me dije se punimet pritet që të nisin gjatë dy muajve në vijim, por për fotot e projektit të publikuara nga ministria, Auron Tare thotë se janë plagjiaturë dhe i përkasin projektit të shpellës Huashan në provincën Tunxi të Kinës. “Imazhi i parë i MEKI-t duket se një person me shumë gjasa një kinez, i cili me një projektor në dorë krijon dritëhije në shpellën e ndriçuar pas tij. Në botën e teknologjisë së sotme një fëmije i duhen vetëm 5 minuta dhe informacion bazik për të kuptuar se ku dhe si janë gjeneruar këto imazhe. Në fakt, mua më deshën pak më shumë se 10 minuta për të kuptuar se imazhet e projektit të MEKI-t vijnë nga një Shpellë Kineze, në provincën e Huashan”, vijon studiuesi.  Më tej Auron Tare i drejtohet MEKI-t me disa pyetje për projektin që bëri me dije më parë dhe publikoi fotot. Sipas tij qytetarët do të qeshin kur të shohin, që ministria jonë përdor imazhet e shpellave në Kinë për Spilenë. “Pyetja ime për shokët e MEKI-t që talleni me qytetarët është: A ka lidhje një projekt kinez me Shpellën e Spilesë në Himarë? A ka lidhje interpretimi i legjendës së Polifemit në Spile me Budën e Huashanit? Besoj se të paktën qytetarët në Himarë do të qeshin sot në mbrëmje kur të ulen për të pirë kafenë buzë detit dhe të lexojnë se Ministria jonë që mbulon kulturën përdor imazhet e shpellave në Kinë për Shpellën e Spilesë,  një shpellë që mitet lokale e lidhin me hapësirën Homerike?”, shprehet Tare. Për çfarë po ndodh me projektin e shpellës së Spilesë në Himarë, studiuesi Auron Tare thotë se kërkon specialistë të mirëfilltë, jo elektricistë që punojnë me tendera. Në reagimin e tij drejtuar MEKI-t studiuesi Tare sjell në vëmendje dhe modelet franceze, që sipas tij janë për t’u admiruar. “Sugjerim për drejtuesin e MEKI-t: Mblidh një grup të vogël specialistësh të arkeologjisë dhe historisë. Krijo një ide të qartë se çfarë konteksti historik mund të përdoret në Shpellën e Spilesë, bazuar në zbulimet arkeologjike. Duke e lidhur këtë shpellë me të gjithë arealin Homerik në Epirin Antik. Përfshirë këtu edhe iso polifoninë e ardhur nga ajo periudhë.  Ky projekt i dashur Gonxhe  kërkon specialistë të mirëfilltë që kanë zbatuar projekte të interpretimit historik në shpella, jo elektricistë  që punojnë me tendera. Shiko modelet franceze, të cilat janë për t’u admiruar, për shembull. Nëse nuk ke kapacitet për të gjitha këto, kërko ndihmën e UNESCO-s, e cila ka në listat e saj një numër ekspertësh të kalibrit botëror që do ta kishin ëndërr të merreshin me një projekt homerik”, shprehet Tare që ka postar në Facebook dhe foto nga deklarata zyrtare e  MEKI-t dhe nga projekti i Shpellës së Huashan, Provinca  Tunxi, Huangshan City, Republika Popullore e Kinës. Shpella e Spilesë është shpallur monument kulture, që në vitin 1963.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here