Nga Julia Vrapi
Folklori popullor do të përcillet me koncerte nga artistët e Ansamblit Kombëtar të Këngëve dhe Valleve Popullore përgjatë muajit gusht në qytete të ndryshme të vendit. Nga aktiviteti në sezonin artistik në skenën e Teatrit Kombëtar të Operës, Baletit dhe Ansamblit Popullor, artistët po vijojnë me koncerte në skena të qyteteve të tjera këtë verë. Përgjatë muajit gusht kalendari artistik do të sjellë një program të pasur folklorik. TKOBAP shprehet se përmes koncerteve artistët do të sjellin më të bukurën e trashëgimisë sonë kulturore. “Tingujt e shpirtit shqiptar në çdo cep të vendit tonë! Kalendari artistik i muajit gusht çon Ansamblin Kombëtar të Këngëve dhe Valleve Popullore në një udhëtim përmes Shqipërisë, për të sjellë më të bukurën e trashëgimisë sonë kulturore në çdo qytet. Me këngë që mbajnë gjallë kujtesën e brezave, valle që burojnë nga toka jonë si rrënjë të thella të shpirtit shqiptar dhe emocione që na bashkojnë pa fjalë në gjuhën e përbashkët të traditës”, thuhet nga Tetari Kombëtar i Operës, Baletit dhe Ansamblit Popullor. Koncertet në muajin gusht nisin nga qyteti i Elbasanit, ku më 5 gusht artistët do të zhvillojnë koncertin për publikun. Në vijim kalendari vijon me koncerte në qytetin e Vlorës më 11 gusht, në Fier më 12 gusht, në Laç në datën 14 këtë muaj, në Kavajë në 15 gusht dhe në Vajzë, Vlorë në datë 24 gusht. Të gjithë koncertet sipas programit do të zhvillohen në orën 20:00 të mbrëmjes.
Ansambli në skena
Koncertet që do të zhvillohen gjatë muajit gusht janë në vijim të atyre më parë që ka zhvilluar Ansambli Popullor këtë sezon vere. Në muajin korrik, tre ansamble kombëtare u bënë bashkë në aktivitetin “Na bashkon flamuri” në Tetovë. Ansambli Kombëtar i Këngëve dhe Valleve Popullore i Shqipërisë, Ansambli “Shota” i Kosovës dhe Ansambli i Maqedonisë së Veriut së bashku në skenë ku sollën një mbrëmje emocionuese më 22 korrik me këngë, valle dhe ritme popullore. Ansambli Kombëtar i Këngëve dhe Valleve Popullore më herët nisi turneun e tij nëpër Shqipëri, duke sjellë trashëgiminë tonë shpirtërore më pranë publikut. Sokol Marsi drejtori artistik i Ansamblit Kombëtar të Këngëve dhe Valleve Popullore ka shprehur se turi koncertor nisi këtë sezon nën siglën “Folk on Tour”. Qyteti i Lushnjës më parë ishte një ndër ndalesat e këtij turneu që ka nisur, ku Ansambli Kombëtar i Këngëve dhe Valleve Popullore ishte i ftuar në natën finale të Festivalit Tipologjik të Valles Burimore. Folklori popullor u përcoll me interpretimin e artistëve të Ansamblit Kombëtar të Këngëve dhe Valleve Popullore edhe në mbrëmjen kulturore të Shqipërisë në Gjenevë. Në kuadër të Asamblesë së 66-të të Organizatës Botërore të Pronësisë Intelektuale (WIPO) në Gjenevë të Zvicrës, Shqipëria u prezantua me një ekspozitë shoqëruar nga një mbrëmje kulturore, ku artistët e Ansamblit Popullor shpalosën një program të pasur folklorik.