Nga Julia Vrapi
Teatri “Migjeni” në Shkodër këtë kohë duhet të ishte në qendër të vëmendjes për aktivitetin artistik dhe veprat që do të vijnë në skenë, por largimi i dy aktorëve nga puna ka sjellë mjaft kritika për mënyrën se si po funksion një prej institucioneve më të rëndësishme kulturore në vend. Pas aktorit Simon Shkreli, për largimin nga puna është njoftuar edhe aktori e regjisori Vladimir Doda. Në një reagim të tij Doda tregon se në një në takim zyrtar u njoftua për largimin nga puna si aktor i trupës së teatrit “Migjeni”. “Pas gati 6 vitesh që jam kthyer në Shqipëri dhe kam filluar të bashkëpunoj si aktor, dhe më pas i punësuar me kontratë të përhershme”, tregon Doda. Duke treguar mbi aktivitetin artistik, Vladimir Doda shton më tej se gjatë kohës në Teatrin Migjeni ka bërë 8 role në 8 shfaqje të ndryshme ndër vite brenda si pjesë e trupës.
Si regjisor dhe autor ai ka vënë për herë të parë një shfaqje të Commedia dell’Arte me 10 aktorë të rinj, tekst origjinal me subjekt shqiptar. Por aktori Vladimir Doda në reagimin e tij sjell në vëmendje dhe audicionet në teatër, ku te ato nga të huajt ku ai ka marrë pjesë është shpallur fitues. “Në takimin me drejtoreshën e Kulturës znj. Sara Smaja, më është komunikuar se treguesit për matjen e performancës (si punonjës në varësi të Bashkisë) janë numri apo sasia e roleve, përkatësisht 2 role në 2 vite dhe 0 në gjysmën e këtij viti. Por audicione nga regjisorët shqiptar nuk janë mbajtur gjatë kësaj periudhe.
Dy audicionet nga regjisorët e huaj ku unë kam marrë pjesë i kam fituar. Kolegut Simon Shkreli nuk i është dhënë as mundësia për të marrë pjesë në audicion me limitin e moshës në njërin prej rasteve. Duke filluar nga janari i 2023 dhe në vazhdim. Të vetmet audicione – pra konkurs i hapur ku një aktor konkurron me aktore të tjerë për rolin që i jepet nga regjisori – për shfaqje që janë zhvilluar në Teatrin Migjeni dhe na janë ofruar si aktor nga janari i vitit 2023, janë shfaqja “Vizita” e Davide Iodice dhe shfaqja “Opera për 3 grosh” e regjisorit Kuniaki Ida”, thotë aktori në reagimin tij, që shton se shfaqja e regjisorit Davide Iodice prej 2 vitesh, numëron tashmë mbi 15 repriza dhe 4 festivale kombëtare dhe ndërkombëtare dhe ndërkohë që ai si aktor vazhdon te jetë pjesë.
Arsyetimi për largimin nga puna
Aktori Vadimir Doda ndërsa tregon aktivitetin e tij artistik përgjatë viteve, kundërshton dhe arsyetimin që është bërë ndaj tij për largimin nga puna. “”Mungesë efikasiteti, efektiviteti, produktiviteti dhe cilësie në punë” është arsyetimi i letrës nga drejt. Sara Smaja. Sara Smaja u mundua dje të shkarkonte (formalisht fajin) tek kryetari dhe të dy po thonin: “mos e merr personale dhe as si politike”, gjë që unë as nuk e kisha përmendur deri aty. Unë i takoj njerëzit nuk e kam problem, dhe ua them gjërat përballë, ashtu si në këtë rast ua thashë se po gaboheshin”, thotë aktori që reagimin e tij e ka ndarë dhe në rrjete sociale.
Nëse është apo jo një vendim politik, aktori lë gjithkënd që ta gjykojë vetë, por ai thotë se gjithmonë ka protestuar për ato që sipas janë të padrejta. Vladimir Doda tregon se nuk ka pasur kurrë tesër partie, por ka kërkuar atë të simpatizantit për të votuar në zgjedhjet për Rithemelimin e PD. “Po e kam bërë dhe i qëndroj akoma sepse besoj në parime, dhe dëmi (kuptohej) po i bëhej Shqipërisë dhe jo thjeshtë PD-se. Ashtu siç kam qenë komisioner në zgjedhjet e fundit ne Lezhe sepse në raste të vështira duhet dhënë kontribut qytetar”, vijon ai. Ndër të tjera Doda shprehet se ai është një profesionist i fushës së tij dhe në sa vite ka qenë aktor në teatrin “Migjeni” nuk ka refuzuar punë. “Po, unë jam profesionist i fushës time. Aktor në radhë të parë, pastaj regjisor. Di të bëj punën time dhe e bëj me dëshirë kur më krijohen kushtet minimale. Di të shkruaj një dramaturgji, në modestinë time, dhe e kam dëshmuar se di të punoj shumë mirë. Kam drejtuar të rinj, apo amator dhe profesionistë në skenë. Di edhe të lidh dritat vetë po qe nevoja.
Nuk kam refuzuar punë nga institucioni ku kam punuar, madje kam propozuar vazhdimisht. Nuk kam mungesa në punë ashtu siç nuk kam pasur pretendime për sa i përket kushteve të teatrit, por kam shprehur ankesat e mia për përmirësim. Mjaft me fasada se po bëni shtet. Jeni thjeshtë njerëz të ulët dhe po krijoni breza monstrash me shembujt që jepni”, shprehet aktori. Vladimir Doda vijon se është kthyer në Shqipëri në moshën 36 vjeçare, por mund edhe të rilargohet në moshën 42 vjeçare. “Nuk kam parti prapa, kam bindjet e mia dhe, sidomos, nuk pajtohem me mënyrën si qeverisni dhe drejtoni këtë vend”, thotë aktori në reagimin e tij.
Reagimi i SPAKMSH dhe i SPK-së
Për largimin e dy aktorëve nga teatri “Migjeni” një ditë më parë reagoi edhe Sindikata e Pavarur e Artit dhe Kulturës e Shqipërisë . SPAKMSH është ish-Sindikata e Pavarur e Artistëve të Shqipërisë, themeluar në vitin 2000. Po dje edhe Skena e Pavarur Kulturore deklaroi se shpreh shqetësimin e thellë dhe solidaritetin e plotë me aktorët e teatrit “Migjeni” në Shkodër, Simon Shkreli dhe Vladimir Doda, të cilët janë përballur me një vendim të pajustifikuar për largim nga puna.
Vladimir Doda 42 vjeçar është i diplomuar fillimisht në Universitetin “La Sapienza” në Romë dhe më pas në Civica Accademia Nico Pepe, Udine. Ka ndjekur specializime pasuniversitare pranë CTA La Sapienza, Centro Teatrale Santa Cristina (Perugia), ERT Emilia Romagna Teatro (Modena), Accademia Teatrale Veneta (Venezia) etj. Përpara se të kthehet përfundimisht në Shqipëri në 2019, ka performuar kryesisht në Itali, por edhe në Francë, Rusi, Poloni dhe Rumani. Jashtë teatrit “Migjeni” ai ka vënë në skenë me organizata apo ente teatrore të tjera, 3 shfaqje me të rinj të Lezhës dhe Kurbinit, dhe me profesionistë në Durrës dhe Tiranë.