Pjesë të rralla të folklorit arbëresh të Siçilisë, si dhe këngë të muzikës arbëreshe në një mbrëmje muzikore

0
17

Nga Julia Vrapi

Folklori, por dhe këngë të muzikës arbëreshe erdhën në një mbrëmje muzikore në Pazarin e Vjetër në Korçë. Kjo mbrëmje muzikore solli për të pranishmit një program të pasur, ndërsa pjesë e saj ishte edhe fizarmoniçisti arbëresh Pierpaolo Petta nga Piana degli Albanesi (Siçili). Fundjava që lamë pas solli në Pazarin e Vjetër të qytetit të Korçës një udhëtim muzikor nga zemra e Arbërisë, aktivitetin “ArbNight – Ethno Pulse”. Qendra për Hapje dhe Dialog shprehet se solli interpretime të veçanta. “Mbrëmja e 26 korrikut solli në Pazarin e Vjetër një udhëtim muzikor nga zemra e Arbërisë, mes tingujve të historisë dhe atmosferës magjike të rrugicave korçare.

Publiku u magjeps nga interpretimet e veçanta të fizarmonicistit arbëresh Pierpaolo Petta nga Piana degli Albanesi (Siçili), i shoqëruar nga këngëtari Bledi Polena, kitaristi Nuçiel Doko dhe bateristi Edison Labi”, thuhet nga Qendra për Hapje dhe Dialog -COD. Në këtë mbrëmje muzikore u risollën pjesë të rralla të folklorit arbëresh të Siçilisë, si dhe këngë të dashura të muzikës arbëreshe, duke e bërë sipas COD këtë mbrëmje të paharrueshme për qytetarët dhe turistët që qëndruan për ta shijuar deri në fund. “Një natë ku çdo hap kishte një kujtim dhe çdo tingull një origjinë – një natë që foli arbërisht!”, thuhet nga organizatorët për këtë mbrëmje. Ky aktivitet këtë mbrëmje korriku u organizua nga Qendra e Artit, Kulturës dhe Inovacionit, në bashkëpunim me COD-in (Qendra për Hapje dhe Dialog) si dhe me mbështetjen e Bashkisë Korçë.

Kjo mbrëmje muzikore në Korçë solli fizarmonicistin arbëresh Pierpaolo Petta nga Piana degli Albanesi (Siçili), i cili është i njohur për aktivitetin e tij muzikor. Pierpaolo Petta, një muzikant dhe kompozitor arbëresh ka lindur në Palermo në vitin 1978, por jeton midis qytetit të Horës së Arbëreshëve (Piana degli Albanesi) dhe qytetit të Palermos me të cilin është i lidhur fort. Hora e Arbëreshëvet ( Piana degli Albanesi) është një qytezë arbëreshe në krahinën e Palermos, të rajonit të Siçilisë në Itali. Ajo njihet si një nga bashkësitë më të mëdha e komuniteteve historike shqiptare të Italisë, qendra më e rëndësishme dhe më e populluar e arbëreshëve të Siçilisë.

Mbrëmja arbëreshe në vijim të aktiviteteve të tjera

Pjesë të rralla të folklorit arbëresh të Siçilisë, si dhe këngë të muzikës arbëreshe erdhën në një mbrëmje muzikore, që është në vijim dhe të tjera aktiviteteve që janë zhvilluar këtë sezon në qytetin e Korçës. Kryetari i Bashkisë së Korçës Sotiraq Filo ndau në rrjet sociale  foto të kësaj mbrëmje muzikore. “Pazari i Vjetër u mbush me tingujt e traditës dhe emocionin e një historie të përbashkët, aty ku guri mban kujtesën dhe muzika zgjon shpirtin.“ ArbNight – Ethno Pulse” solli një atmosferë unike, ku të gjithë së bashku kënduam në gjuhën e të parëve. Një natë që dëshmoi edhe një herë se Korça është djep i kulturës dhe një vend ku identiteti ruhet, rritet dhe frymëzon brezat”, shprehet Filo për këtë mbrëmje muzikore.  Përgjatë sezonit turistik të verës qyteti i Korçës tërheq dhe vëmendjen e qindra turistëve dhe në vijim të aktiviteteve këtë verë ishte dhe festivali i muzikës elektronike “Lumina”, që u rikthye  në edicionin e tij të dytë. Ai u mbajt në Parkun Rinia të qytetit.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here