Nga Julia Vrapi
Monodrama “Engjëjt” një vepër ku trajtohet genocidi serb ndaj popullsisë së pafajshme në Kosovë, fati i zhdukurve dhe një nënë që kërkon fëmijët e saj e nisi rrugëtimin e saj artistik nga Tirana për të udhëtuar më pas edhe në skena të tjera apo dhe pjesëmarrje në festivale teatri. Vepra që bashkoi tre artistë, dramaturgun Odise Plaku nga Shqipëria, aktoren Vefi Redhi që për këtë shfaqje erdhi nga Greqia dhe regjisorin Naser Shatrolli nga Kosova është mirëpritur nga publiku dhe nga kritika për atë çfarë përcjell. Një tjetër premierë erdhi në sezonin artistik që lamë pas nga dramaturgu i njohur Odise Plaku, i cili shprehet se është i lidhur shpirtërisht me këtë vepër. “Sa herë që më duhet të flas për “Engjëjt” në sytë e mi rend një nënë me krahë të hapura që klith nga gëzimi, se përpara saj vijnë fëmijët e munguar prej vitesh në jetën e saj.
Aq shumë jam lidhur shpirtërisht sa tashmë jam unë njëri prej atyre njerëzve, që presin me ankth një lajm të mirë mbi fatin e të zhdukurve”, thotë dramaturgu Odise Plaku i pyetur rreth kësaj vepre që mban autorësinë e tij. Vepra erdhi në skenë për publikun me regji nga Naser Shatrolli i njohur për prurjet e tij artistike si në Shqipëri apo dhe në Kosovës dhe me interpretimin e aktores së njohur Vefi Redhi, që shpërfaq dramën e një nëne kosovare. Por dramaturgu Odise Plaku tashmë kur vepra ka pasur një rrugëtim të suksesshëm si në Shqipëri edhe në Kosovës tregon ndër të tjera se kjo monodramë është një reflektim i dhimbshëm mbi pasojat e tmerrshme të genocidit.
“Në aspektin autorial, përmes “Engjëjve” kam dashur të nxjerrë në pah dhimbjen dhe vuajtjen e një nëne që humb atë që i ka më të shtrenjtë, fëmijët e saj. Kjo monodramë është një reflektim i dhimbshëm mbi pasojat e tmerrshme të gjenocidit dhe ndikimin e tij në jetën e njerëzve të thjeshtë. Në thelb, “Engjëjt” përpiqen të ruajnë kujtimin e atyre fëmijëve të zhdukur dhe të thonë se dhimbja e nënave është një dëshmi e përjetshme për atë që ka ndodhur. Për mua, kjo vepër është një mënyrë për të ndikuar mbi shoqërinë që të mos harrojë dhe të mbajë gjallë mesazhin e paqes dhe drejtësisë universale”, shprehet dramaturgu Odise Plaku.
Vepra në skena e festivale
Pas sukseseve dhe prezantimeve në skenat në Shqipëri, vlerësimit me dy çmime “Aktorja më e mirë” dhe “Regjisori më i mirë” në festivalin e monodramës “Flas shqip”, shfaqja “Engjëjt” vepër e autorit Odise Plaku nisi udhëtimin në skenat e Kosovës. Më 8 qershor ajo u shfaq në teatrin “Bekim Fehmiu” të qytetit të Prizrenit”, për të vazhduar në 10 qershor në Gjakovë dhe më 13 qershor në festivalin “MonoAkt” në Prishtinë. Në këtë festival mori çmimin “Shfaqja më e mirë”, ndërsa autori Odise Plaku u nderua me “Mirënjohje speciale” si autor me dy vepra. Por pak ditë më parë shfaqja ishte në edicionin e 15-të të “Etno Fest 2025”. Në programin e këtij viti dallua vepra “Engjëjt”, e cila mori vlerësime të larta nga juria profesionale dhe publiku. Regjisori Naser Shatrolli u nderua me çmimin për “Regjinë më të mirë”, ndërsa Vefi Redhi u shpall “Aktorja më e mirë”, ku performanca e saj e la gjurmë te publiku i festivalit. Dramaturgu Odise Plaku më herët ka shprehur se regjisori Shatrolli ka punuar në mënyrën më të mirë të mundshme si në adaptimin e tekstit origjinal, por ka shfrytëzuar potencialin e mrekullueshëm të aktores Vefi Redhi.