Mëngjesin e sotëm në “Koha për t’u zgjuar” ishte Kujtim Hoxha, eksperti i pensioneve, i cili foli në lidhje me sigurimin vullnetar për emigrantët që janë larguar dhe nuk plotësojnë vitet e punës.
Ai ka sqaruar se emigrantët mund të blejnë periudhat që i kanë bosh në vendin tonë, por duhet treguar kujdes pasi diçka e tillë mund të bëhet vetëm për shtetet me të cilat vendi ynë ka marrëveshje.
“Në skemën e sigurimeve shoqërore, krahas skemës klasike apo të vetëpunësuarit në bujqësi, ekziston dhe skema e sigurimit vullnetar, për personat që nuk përfshihen në skemat e mësipërme.
Kjo mund të zbatohet për personat që kanë mangësi në vjetërsinë e punës. Një pjesë e emigrantëve, kanë punuar jashtë, por duke mos patur dokumente të rregullta kanë punuar në të zezë dhe pa sigurime. Në rastet kur e dinë që një pjesë e periudhës së punës e kanë të pa deklaruar, mund t’i blejnë këto periudha në Shqipëri, por duhet pasur kujdes, aplikohet për shtetet me të cilat Shqipëria ka marrëveshje, dhe duhet të kihet parasysh që të mos ketë mbivendosje të periudhave.
Sigurimi i periudhave boshe do të blihet me vlerën e sotme, që është 8640 lekë në muaj.
Sigurimi bëhet në drejtoritë rajonale të sigurimeve shoqërore”, sqaroi zoti Hoxha.