Nga Julia Vrapi
Tre ansamble kombëtare u bënë bashkë në aktivitetin “Na bashkon flamuri” në Tetovë. Ansambli Kombëtar i Këngëve dhe Valleve Popullore i Shqipërisë, Ansambli “Shota” i Kosovës dhe Ansambli i Maqedonisë së Veriut së bashku në skenë ku sollën një mbrëmje emocionuese me këngë, valle dhe ritme popullore. Teatri Kombëtar i Operës, Baletit dhe Ansamblit Popullor u shpreh se janë tre ansamble kombëtare dhe një skenë, që bashkon shpirtin e folklorit shqiptar. “Tetova bëhet pikëtakimi i trashëgimisë sonë kulturore me koncertin “Na bashkon flamuri”. Vera bëhet më e bukur kur arti dhe tradita vijnë pranë jush”, thuhet nga TKOBAP. Aktiviteti “Na bashkon flamuri” në Tetovë u zhvillua më 22 korrik, ku spikatën me interpretimet e tyre artistët e tre ansambleve kombëtare. Përpara fillimit të shfaqjes, përfaqësitë e ansambleve u mirëpritën nga z. Bilal Kasemi, Kryetar i Komunës së Tetovës, i cili vlerësoi rolin e artit në forcimin e lidhjeve kulturore mes shqiptarëve. TKOBAP bën me dije se ansamblet kombëtare ngjitën në skenë disa nga perlat e folklorit shqiptar në zemër të qytetit të Tetovës. “Një skenë që u mbush me ritme, ngjyra dhe emocione, përballë një publiku të zjarrtë që duartrokiti me zemër çdo këngë e çdo valle”, thuhet nga teatri, ku për publikun erdhi një program i përzgjedhur që solli më të bukurën e trashëgimisë sonë në një mbrëmje.
Folklori popullor në koncerte
Folklori popullor po përcillet përmes koncerteve që zhvillojnë artistët e Ansamblit Kombëtar të Këngëve dhe Valleve Popullore. Por ndërsa koncerte të ndryshme janë zhvilluar nga artistët gjatë sezonit artistik në skenën e Teatrit Kombëtar të Operës, Baletit dhe Ansamblit Popullor, në stinën e verës të tjerë koncerte po zhvillohen jo vetëm brenda vendit, por dhe jashtë. Ansambli Kombëtar i Këngëve dhe Valleve Popullore më herët nisi turneun e tij nëpër Shqipëri, duke sjellë trashëgiminë tonë shpirtërore më pranë publikut. Sokol Marsi drejtori artistik i Ansamblit Kombëtar të Këngëve dhe Valleve Popullore ka shprehur se turi koncertor ka nisur këtë sezon nën siglën “Folk on Tour”. “Ansambli Kombëtar ka nisur koncertet e kalendarit veror brenda dhe jashtë vendit nën siglën “Folk on Tour” 2025”, shprehej ai më parë. Folklori popullor u përcoll me interpretimin e artistëve të Ansamblit Kombëtar të Këngëve dhe Valleve Popullore edhe në mbrëmjen kulturore të Shqipërisë në Gjenevë. Në kuadër të Asamblesë së 66-të të Organizatës Botërore të Pronësisë Intelektuale (WIPO) në Gjenevë të Zvicrës, Shqipëria u prezantua me një ekspozitë shoqëruar nga një mbrëmje kulturore, ku artistët e Ansamblit Popullor shpalosën një program të pasur folklorik. Ansambli Kombëtar i Këngëve dhe Valleve Popullore edhe në sezonet verore më parë ka shpalosur një program të pasur me koncertet e tij, ndërsa dhe përgjatë këtij sezoni veror po vijon me koncerte për publikun në skena të ndryshme.