Ndërhyrjet restauruese në kalanë e Bashtovës që ndodhet në fshatin Vilë-Bashtovë kanë përfunduar. Kalaja
e Bashtovës është një nga më të bukurat në vend dhe u restaurua si pjesë e programit“EU4Culture”, që bën me dije dhe përfundimin e këtyre ndërhyrjeve. Në faqen e programit“ EU4Culture”thuhet se e ndërtuar fillimisht në shekullin e 15-të nga venedikasit për të kontrolluar bregdetin dhe tregtinë e grurit, kjo kala është ruajtur tani me kujdes përmes ndërhyrjeve të thella që synonin mbrojtjen e strukturës së saj, nxjerrjen në pah të elementeve historike dhe përgatitjen për përdorim të qëndrueshëm në të ardhmen.
“Ndërhyrja përfshiu gjithashtu restaurimin e mureve dhe kullave të kalasë, përmirësimin e aksesit dhe elementëve të sigurisë, kërkime të detajuara arkeologjike, zhvillimin e një sistemi interpretimi interaktiv multimedial dhe ndërtimin e një qendre për vizitorët. Ky sit u rikthye në jetë nga programi EU4Culture, i financuar nga Bashkimi
Evropian dhe i zbatuar nga UNOPS, në partneritet të ngushtë me Ministrinë e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit”, thuhet nga “EU4Culture”.
E ngritur pranë fshatit të Vilë-Bashtovës në një distancë prej 3-4 km, në veri të grykëderdhjes së lumit të Shkumbinit, kalaja haset për herë të parë në një hartë detare të vitit 1521. Kështjella është ndërtuar në shekullin
XV dhe u ka shërbyer venecianëve për shkëmbime tregtare. Zona e Bashtovës është përmendur si një portlumor në Shkumbin si dhe një qendër e eksportit të drithërave.
Kalaja ka trajtë katërkëndore me përmasa 60×90 metra. Pjesa perëndimore e saj është rindërtuar në shekullin XVIII. Muret e saj kanë një lartësi prej 9 metrash. Mendohet se kjo kala ka qenë dykatëshe, ku një kat i saj është i fundosur nën sipërfaqen e tokës. Ajo që e bën Bashtovën të veçantë në krahasim me kështjellat e tjera, që mund të vizitohen në Shqipëri është fakti se ajo është e vetmja kështjellë e ndërtuar në një fushë.