“Tana”, 67 vjet nga filmi i parë artistik shqiptar me metrazh të gjatë

0
31

Filmi “Tana” me regji nga Kristaq Dhamo është prodhim i vitit i 1958 nga Kinostudio. Arkivi Qendror Shtetëror i Filmit publikoi një ditë më parë faqe origjinale nga skenari letrar dhe lista e dialogut të filmit, dokumente që ruhen me kujdes dhe dëshmojnë procesin krijues të këtij produksioni historik.

“Tana (1958), njihet si filmi i parë artistik shqiptar, i cili u prodhua nga Shqipëria Film (më pas Kinostudioja “Shqipëria e Re”). Premiera është dhënë më 17 gusht 1958. Kujtojmë, ruajmë dhe ndajmë trashëgiminë filmike shqiptare”, shprehet AQSHF. Skenari i filmit është shkruar nga Fatmir Gjata, Nasho Jorgaqi dhe Kristaq Dhamo. Muzika e filmit “Tana” është shkruar nga kompozitori Çesk Zadeja. Ngjarjet në filmin “Tana” zhvillohen në vitet ‘50. Në qendër të filmit është Tana, një vajzë e zgjuar dhe me mendime të përparuara.

Ajo dashuron Stefanin, i cili banon në një fshat të varfër malor. Tanës i del përpara mentaliteti i vjetër i gjyshit të saj si dhe xhelozia e Lefterit. Është një lojë dashurie drejt përparimit. Këtu është realizuar puthja e parë në filmat shqiptarë. Aktorë në filma janë Tinka Kurti, Naim Frashëri, Pjetër Gjoka, Kadri Roshi, Andon Pano, Marie Logoreci, Ilia Shyti, për të vijuar dhe me të tjerë aktorë të njohur në role. Në kuadër të muajit të kinematografisë në korrik 2022 nga Arkivi Qendror Shtetëror i Filmit u shfaq premiera e versionit të restauruar të filmit të parë shqiptar me metrazh të gjatë “Tana”, me regjisor Kristaq Dhamo. Versioni i restauruar u bë i mundur falë mbështetjes dhe bashkëpunimit të AQSHF-së me Cinegrell (Zvicër) dhe PostFactory (Gjermani), me supervizimin e kuratores Louise Burkart.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here