“Si ta doni”, një komedi romantike e Shekspirit në sezonin e ri artistik të Teatrit Kombëtar

0
32

Nga Julia Vrapi

“Si ta doni” një komedi nga Shekspiri në sezonin e ri artistik të Teatrit Kombëtar. Kjo komedi romantike për dashurinë dhe lirinë nga William Shakespeare do të jetë pjesë e sezonit të ri artistik 2025-2026 me regji të John Blondell. Premiera e kësaj komedie bëhet me dije nga vetë institucioni teatror,  ku në role do të jenë një kastë aktorësh të njohur të teatrit. “Si ta doni”, në origjinal “As you like it”, është një komedi nga William Shakespeare që besohet se është shkruar në vitin 1599. Ajo u vu në skenë në Wilton House në 1603.

Prej asaj kohe është adaptuar si pjesë për radio, film dhe muzikal. Fabula është mjaft e thjeshtë: problemi dramatik në sjelljen e çoroditur të dy vëllezërve të ligj ndaj dy vëllezërve të mirë, si dhe pengesat e lidhura me këtë sjellje ndaj martesës së disa çifteve në këtë pjesë teatrore (sidomos të Rozalindës me Orlandon) zgjidhen pa vështirësi dhe, pa pikë dyshimi, kemi të bëjmë me një fund të lumtur. Komedia që do të jetë pjesë e sezonit artistik do të ketë në role aktorë si Genti Deçka, Lulzim Zeqja, Laert Vasili, Luli Bitri, Elia Zaharia, Donald Shehu, Dritan Boriçi, Besmir Bitraku, Flaura Kureta, Erjona Kakeli, etj. Vite më parë Blondell solli në skenë  veprën “Ёndrra e njё nate vere” të Shekspirit. Edhe atë kohë në vitin 2013 premiera me regji nga amerikani John Blondell në skenën e Teatrit Kombëtar angazhoi një kastë aktorësh të njohur.

Përmbajtja e veprës “Ëndrra e një nate vere”  përqendrohet në tre ngjarje: përpjekjet dhe përvojat e dy çifteve të dashuruar në një pyll të magjepsur, bota e mbretit dhe mbretëreshës së zanave si dhe një grupi zejtarësh të rëndomtë që përpiqen të vënë në skenë një pjesë të quajtur “Pirami dhe Tisba” për nder të dasmës së Dukës së Athinës. Pasi u njohur me aktorët shqiptarë në Festivalin Ndërkombëtar të Shekspirit, Blondell pranoi të realizojë produksionin e tij të tretë mbi këtë vepër të Shekspirit në Teatrin Kombëtar

 Vepra të Shekspirit

William Shakespeare (23 prill 1564 – 23 prill 1616) është ndër dramaturgët më të mëdhenj të të gjithë kohërave, poet dhe tregimtar i shquar i cili e zhvilloi aktivitetin e tij letrar gjatë shekullit të XVI në Britani. Veprimtaria dramatike e Shekspirit u zhvillua në kuadër të teatrit elizabetian dhe ka si kuadër historik mbretërimin e Elizabetës I (1558 – 1603). Kjo epokë njihet dhe si epoka e artë e teatrit anglez. Përkrah teatrit klasik, ky teatër përbën dukurinë më të rëndësishme e më të mrekullueshme për teatrin botëror në përgjithësi. “Ëndrra e një nate vere”, “Romeo dhe Zhuljeta”, “Shumë zhurmë për asgjë”, “Nata e dymbëdhjetë” janë vetëm disa prej veprave të tij. Veprat e Shekspirit janë vënë edhe më parë në skenat tona teatrore, ku këtë herë në Teatrin Kombëtar rikthehet sërish regjisori Johen Blondell me komedinë “Si ta doni”.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here