Nga Julia Vrapi
Artistët e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit do të sjellin në skenë veprën “Carmina Burana”, kompozuar nga gjermani Carl Orff në vitin 1936. Solistët, kori dhe Orkestra Simfonike e TKOB-së dy mbrëmje do të jenë në skenë për veprën monumentale të autorit Carl Orff, e cila këtë qershor shënon një rikthim në skenë, ku dirigjent është Sergio Alapont. E kompozuar nga kompozitori gjermani Carl Orff në vitin 1936, libreti i saj është një përmbledhje poezish të gjetura në një dorëshkrim të shekullit XIII, i ardhur nga kuvendi Benediktbeuern në Gjermani. Teatri Kombëtar i Operës dhe Baletit shprehet se kësaj vepre i jepet sërish jetë nga artistët.
“Rikthehet Carmina Burana! Shfaqja që e keni kaq shumë përzemër, rikthehet në TKOBAP më e freskët se kurrë më parë. Veprës monumentale të Carl Orff i jepet jetë sërish nga Solistët, Kori dhe Orkestra Simfonike e TKOBAP-së, nën drejtimin e dirigjentit fort të dashur për të gjithë ju, Sergio Alapont. 25 & 26 qershor ora 20:00”, thuhet nga Teatri Kombëtar i Operës dhe Baletit (TKOB) për këtë vepër që vjen në skenë në vijim të sezonit artistik. Në fillim, muzika e veprës “Carmina Burana” u kritikua, por në vazhdim më vonë, kjo vepër edhe për frymën e saj jetësore u prit me entuziazëm nga regjimi nazist si një kremtim i “kulturës ariane”. O Fortuna!
Me këtë thirrje ndaj perëndeshës së fatit nis “Carmina Burana”, kjo kantatë skenike nga Carl Orff, i cili prej kohësh konsiderohet një klasik i ri i historisë së muzikës. Brilante në thjeshtësinë e vet, depërtuese në ritmikë dhe përjetësisht e re në tematikë, “Carmina Burana” i jep flatra fantazisë si rrallë ndonjë vepër tjetër muzikore e shekullit të XX. Orkestra në dy mbrëmje do të jetë sërish nën drejtimin e dirigjentit të njohur spanjoll Alapont, që ka qenë dhe më parë në produksionet e TKOB-së. Ai ka drejtuar në disa nga teatrot më të famshëm të operës në botë, si Teatro Real në Madrid, Opera-Theatre de l’Eurometropole de Metz, Opera National du Rhin dhe Glyndebourne Festival. Gjithashtu, ka debutuar me sukses në Shtetet e Bashkuara duke dirigjuar La Rondine në Minnesota Opera. Puna e tij përfshin një repertor të pasur operistik dhe simfonik, ku ka bashkëpunuar me disa nga orkestrat më të njohura
Vepra e Orff në skenë
Në skenat tona vepra “Carmina Burana”, kompozimi i autorit Carlf Orff ka ardhur dhe herë të tjera për publikun me artistët e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit. Një vit më parë “Carmina Burana” erdhi në skenë ndryshe nga herët e tjera, një opera- balet me koreografi e skenografi të Youri Vamos. “Carmina Burana” shkruar më 1936 është një nga veprat më të njohura të kompozitorit Carl Orff (1895-1982). Pjesa e parë, e trilogjisë së tij të famshme, e cila, ka në përbërje të saj: Catulli Carmina (pjesa e dytë) dhe Trionfo di Afrodite (pjesa e tretë), ndërkohë që trilogjia në vetvete mban titullin Trionfi. Orff ka reflektuar interesin e tij për poezinë mesjetare Gjermane te “Carmina Burana”, vepër që është bazuar në një manuskript mesjetar, të quajtur Codex, zbuluar në Manastirin Benedictine të Benediktbeuern, në jug të Gjermanisë, në vitin 1803. Ky koleksion titullohet gjithashtu “Carmina Burana”. Pas kësaj vepre që do të jetë në dy mbrëmje me radhë në skenën e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit, kalendari artistik këtë muaj do të vijojë me të tjerë koncerte, që do të sjellin në skenë artistët.