Premiera e filmit shqiptar “Emili” në Athinë, forca e një nëne përballë dhimbjes dhe sfidave

0
18

Nga Julia Vrapi

Filmi shqiptar me metrazh të gjatë “Emili” do të shfaqet premierë në Athinë. Një histori prekëse mbi dashurinë e pakushtë dhe forcën e një nëne përballë dhimbjes dhe sfidave jetësore. “Emili” është filmi i parë i metrazhit të gjatë si regjisore i Ajola Dajës, ku skenari nisi nga një histori reale. Në filmin “Emili” që është mbështetur nga Qendra Kombëtare e Kinematografisë, me regji dhe skenar nga Ajola Daja në role janë Arta Dobroshi, Luiza Xhuvani, Lulzim Zeqja dhe Noel Miraka, ku pjesë e filmit është dhe aktori Margent Caushi.

Filmi përshkruan historinë e Emilisë, një grua e re e cila lufton për të gjetur balancën dhe forcën për të përballuar sfida të mëdha në jetën e saj personale dhe profesionale dhe në datën 28 qershor në mbrëmje do të shfaqet në Trianon Cinema Athinë. Lajmin për shfaqjen e filmit e ka bërë me dije dhe Ambasada e Republikës së Shqipërisë në Greqi. ““Emili”: Një film shqiptar në ekranin grek. Ambasada e Republikës së Shqipërisë në Athinë, në bashkëpunim me regjisoren Ajola Daja ka kënaqësinë t’ju ftojë në premierën e filmit shqiptar “Emili” një histori prekëse mbi dashurinë e pakushtë dhe forcën e një nëne përballë dhimbjes dhe sfidave jetësore”, thuhet në njoftimin e ambasadës që e ka shpërndarë dhe vetë regjisorja në rrjete sociale.

Filmi “Emili” për Ajola Dajën ka qenë shumë i rëndësishëm për të si regjisore. Pas filmave të shkurtër me këtë projekt ajo do ta provonte veten edhe si regjisore në një film të gjatë. “Emili” është mbështetur nga Qendra Kombëtare e Kinematografisë në kategorinë indipendent, gjë që siç ka treguar më herët Daja e vuri edhe në një sfidë tjetër me veten, duhet ta përfundonte me një buxhet independent, arsye që sipas saj mori  kohë për t’u përfunduar.

Projekti filmik

Filmi është shfaqur dhe më parë në kinematë në Tiranë, por regjisorja Ajola Daja ka treguar më herët se “Emili” nisi nga një ngacmim, nga një histori dhune reale, të cilat nuk është e vështirë ti gjesh në realitetin tonë. Ajo ka treguar se ka qenë një ngjarje që e ka ndjerë të nevojshme ta tregojë në mënyrën e saj. “Mua më ka shqetësuar gjithnjë kjo marrëdhënie agresive që kemi ne si shoqëri në familje dhe kryesisht dhuna ndaj grave, që pasqyrohet në shumë rrafshe të shoqërisë. Dhe kjo ngjarje më la pa gjumë dhe e ndjeva vërtetë të nevojshme, që ta tregoj në mënyrën time”, thotë ajo, ku “Emili” është filmi i parë i metrazhit të gjatë si regjisore i saj, por jo si skenariste.

Në ngjarjet e filmit, Emili përpiqet t’i shpëtojë burrit të saj të dhunshëm, Robertit. Një ditë, ajo më në fund vendos të largohet me djalin e saj Onin për tek prindërit e saj në Greqi. Në kufi, ajo kupton se Oni nuk mund të largohet nga Shqipëria pa lejen e babait të tij, të cilën Emili e di se Roberti nuk do t’ia jap kurrë. Yllka, vjehrra e saj i ofron të birësojë Onin dhe më vonë ta ndihmoje te largohet. Emily pranon. Situata midis dy grave përshkallëzohet kur Emili e kupton që Yllka dëshiron ta mbajë Onin në Tiranë.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here