Nga Julia Vrapi
Sopranoja Marigona Qerkezi nesër në mbrëmje ngjitet në skenën e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit në Tiranë. Një nga emrat më të rëndësishëm të skenës operistike në botë, sopranoja Marigona Qerkezi vjen për publikun me një koncert gala. Nën dirigjimin e maestros së mirënjohur Fabrizio Maria Carminati, me Orkestrën Simfonike dhe Korin e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit koncerti sjell një program të përzgjedhur me vepra nga G.Puccini, G.Verdi, F. Cilea, A.Dvořák, L. Bernstein, A. Lara , L. Arditi si dhe nga kompozitorët shqiptarë Feim Ibrahimi dhe Avni Mula.
Teatri Kombëtar i Operës dhe Baletit shprehet se sopranoja Marigona Qerkezi ka pushtuar disa nga skenat më të rëndësishme ndërkombëtare. “Marigona Qerkezi, një nga zërat më të fuqishëm shqiptarë në skenën operistike ndërkombëtare! Me një interpretim që mbërthen publikun dhe një zë që ngjitet drejt majave, ajo ka pushtuar disa nga skenat më të rëndësishme ndërkombëtare. Një artiste që përfaqëson me dinjitet, forcë dhe elegancë trashëgiminë tonë kulturore në gjithë botën vjen në TKOBAP me një recital të veçantë”, thuhet nga teatri. Koncerti i sopranos Marigona Qerkezi që vjen me një program të pasur muzikor më pas do t’ia lërë radhën shfaqjeve dhe koncerteve të tjera në sezonin artistik të TKOB.
Qerkezi në skena të ndryshme
Sopranoja Marigona Qerkezi ka një aktivitet të vlerësuar në skena të ndryshme në botë. Amerika, Gjermania, Anglia, Italia, Japonia, Rusia, Portugalia, Spanja, Holanda, Omani, Turqia, Sllovenia dhe Kroacia janë ndër shtetet në të cilat ka performuar deri më tani sopranoja Marigona Qerkezi, që nesër do të jetë në TKOB me një koncert gala. Por përpara se të vijë në skenën e TKOB në Tiranë sopranoja Qerkezi ka vijuar me role operistike në skenat jashtë. Ndër to përmendim dhe interpretimin e saj në Operan e Frankfurtit, roli i Normës në operën e italianit Vincenzo Bellini që për titull ka pikërisht emrin e personazhit.
Por në vijim të aktivitetit këtë sezon është dhe opera “Aida” në Operën e Berlinit, që gjithashtu u mirëprit nga publiku dhe kritika. Qerkezi është fituese e çmimeve të shumta në garat ndërkombëtare të operës, duke përfshirë: Çmimin e parë në Konkursin e Operës Leyla Gencer dhe një çmim special nga Accademia Teatro alla Scala; Çmimin e parë në Konkursin Ndërkombëtar “Magda Olivero”; Fituese në kategorinë e debutuesve në Konkursin e 66-të Ndërkombëtar për Këngëtarët e Rinj të Operës të Evropës AsLiCo; Çmimin special “Më i miri nën 25 vjeç” në Konkursin Ndërkombëtar të Operës Portofino, etj. Profili i saj është përfshirë në librin “Il Soprano Rossiniano” midis interpretuesve të shquar të Rossinit, dhe ajo ka luajtur në një dokumentar “Dante in Musica” me rastin e promovimit të kulturës dhe gjuhës italiane në botë nga Ministria e Punëve të Jashtme të Italisë.