Dhëndri i presidentit amerikan Donald Trump, Jared Kushner, ka treguar se si është njohur me kryeministrin shqiptar, Edi Rama, teksa është shprehur tejet i impresionuar nga vizioni i këtij të fundit për të transformuar Shqipërinë.
Gjatë një fjale të mbajtur online në Forumin “Future Investment Initiative”, Kushner, i cili është një nga folësit e Forumit, tregoi historinë se si është njohur fillimisht me kryeministrin Edi Rama dhe se sa impresionues i është dukur projekti që kreu i Qeverisë shqiptare ka pasur në mendje për zhvillimin e vendit.
“Pra, si të gjitha gjërat në jetë, çdo gjë merr rrjedhën e vet. Isha me pushime pasi u larguam nga qeveria (amerikane. Red) në verën e vitit 2021. Ishim në varkën e mikut tonë, Matt Rothschild, na morën në Mal të Zi dhe pastaj filluam të lundronim për në Korfuz dhe kaluam disa ditë në Shqipëri”, shpjegon fillimisht Kushner rreth situatës.