Restaurimi i kalasë së Bashtovës drejt përfundimit, puna ka vijuar me muret, kullat dhe elementët mbrojtës

0
19
default

Nga Julia Vrapi

Kalaja e Bashtovës një nga më të bukurat në vend është në një proces restaurimi. Kalaja e Bashtovës po i nënshtrohet restaurimit dhe rijetësimit falë programit “EU4Culture”, financuar nga BE. Puna në kalanë që është monument kulture ka vijuar  te muret e saj, kullat apo elementët mbrojtës. Programi “EU4Culture” shprehet se shpejt mund të hyhet brenda mureve të kalasë së Bashtovës. “Me shumë kënaqësi ju njoftojmë se po i afrohemi përfundimit të restaurimit të Kalasë së Bashtovës! Së shpejti do të mund të hyni brenda mureve të saj dhe të përjetoni historinë e pasur, legjendat dhe ngjarje interesante historike përmes tregimeve digjitale”, thuhet në faqen e “EU4Culture”, ku janë ndarë dhe disa foto nga kalaja.

E ndërtuar fillimisht në shekullin XV si një qendër tregtare veneciane dhe e përforcuar më vonë gjatë periudhës osmane, kalaja e Bashtovës i ka rezistuar kohës. Falë programit “EU4Culture”, i financuar nga Bashkimi Evropian dhe i zbatuar nga UNOPS në bashkëpunim me Ministrinë e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, po restaurohen me kujdes muret, kullat dhe elementët mbrojtës të saj. “Shënuesit informativë janë vendosur, instalimet dhe qendra e vizitorëve janë drejt përfundimit, ndaj shumë shpejt do të mund ta vizitoni këtë pasuri të jashtëzakonshme kulturore!”, thuhet nga “EU4Culture”.  Shpallur monument kulture i kategorisë së parë në vitin 1948, Kalaja e Bashtovës është gjithashtu në listën tentative të UNESCO-s si vend i trashëgimisë botërore.

Ndërhyrjet në kala

Instituti Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore (IKTK) në qershor 2024 bënte me dije se në kuadër të restaurimit të kalasë së Bashtovës, janë kryer këto ndërhyrje arkitekturore: Restaurimi dhe plotësimi i qemerëve të tullës; Restaurimi i bedenave të dëmtuar; Restaurimi i shkallëve të gurit; Ndriçim artistik i mureve të kalasë në pjesën e brendshme dhe të jashtme të tyre; Pajisja e një pjese të murit me parapet metalik, për të siguruar mbrojtjen e vizitorëve gjatë lëvizjes mbi mur; Plotësimi i njërës prej kullave me strukturë dekorative metalike; Mbyllja e aksesit në disa pjesë të murit ku ecja mund të jetë e rrezikshme. E ngritur pranë fshatit të Vilë-Bashtovës në një distancë prej 3-4 km, në veri të grykëderdhjes së lumit të Shkumbinit, kalaja haset për herë të parë në një hartë detare të vitit 1521.

Kalaja ka trajtë katërkëndore me përmasa 60×90 metra. Pjesa perëndimore e saj është rindërtuar në shekullin XVIII. Muret e saj kanë një lartësi prej 9 metrash. Mendohet se kjo kala ka qenë dykatëshe, ku një kat i saj është i fundosur nën sipërfaqen e tokës. Ajo që e bën Bashtovën të veçantë në krahasim me kështjellat e tjera, që mund të vizitohen në Shqipëri është fakti se ajo është e vetmja kështjellë e ndërtuar në një fushë dhe jo në majë të kodrave apo maleve.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here