Formimi i qeverisë, Konjufca: Vetëvendosje s’arriti qëllimet, tani jemi në skenarin B

0
20

Nënkryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, në cilësinë e kryetarit të Kuvendit, Glauk Konjufca, pas mbledhjes që zhvilloi me përfaqësuesit e partive politike, deklaroi se Lëvizja Vetëvendosje nuk ka numrat e nevojshëm për të formuar qeverinë e vetme. Ai ka pohuar se Vetëvendosje duhet të ndryshojë rrugën për të arritur pushtetin. “Vetëvendosje e ke pas një qëllim dhe nuk ke mbërritur atë. S’i kemi arritur qëllimet dhe tash jemi në skenarin B. Është rasti më normal i mundshëm”, tha Konjufca para gazetarëve. Pas mbledhjes që ka zhvilluar me përfaqësuesit e partive politike, Konjufca ka deklaruar se gjithçka është gati për seancën konstitutive të Kuvendit të Kosovës.  “Në këtë mbledhje caktohen ulëset e partive politike dhe bashkë me ta e diskutova edhe skenarin e mbledhjes. Gjithçka shkoi mirë. U caktuan ulëset.

Nuk ka ndryshim shumë të madh sa i përket ulëseve. Në mes ulet VV-ja. Dy krahët siç kanë qenë. AAK-ja do të ulët siç ka qenë e edhe pakicat. Dallimet janë të vogla me legjislaturën e tetë. Gjithçka shkoi mirë, përfundoi mbledhja”, ka thënë Konjufca. Ndërsa shtoi se “Lëvizja Vetëvendosje akoma nuk e ka dhënë emrin e kryetarit të Kuvendit dhe se formimi i Qeverisë është i pamundur pa themelim të një koalicioni”. Në takimin e thirrur nga Konjufca, kanë marrë pjesë zyrtarja e Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu, Uran Ismaili nga Partia Demokratike të Kosovës, Doarsa Kica-Xhelili nga Lidhja Demokratike të Kosovës, Muharrem Nitaj nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës. Si dhe deputetë të pakicave, Fikrim Damka, Duda Balje e Nenad Rashiçi. Zyra e Presidentes së Kosovës ka caktuar 15 prillin si ditën kur pritet konstituimi i Kuvendit të Kosovës, pas zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here