Ikona “Krishti i Gjithëpushtetshëm” i shpëton degradimit. Ikona pas një procesi restaurimi pritet që edhe të ekspozohet. Ministri i Ekonomisë Kulturës dhe Inovacionit Blendi Gonxhja shprehet se një tjetër kryevepër i shpëton degradimit! “Pas një restaurimi delikat në Muzeun Kombëtar të Ikonografisë “Onufri”, ikona “Krishti i Gjithëpushtetshëm” e mjeshtrit Onufri (shek. XVI) rikthehet në shkëlqimin e saj të dikurshëm. Pjesë e ikonostasit të Katedrales “Fjetja e Shën Marisë”, kjo vepër madhështore ka kaluar një proces restaurimi që i ka rikthyer detajet dhe bukurinë e saj të rrallë. Së shpejti, publiku do ta shijojë nga afër në ekspozitën e muzeut!”, shprehet ministri Gonxhja në rrjete sociale që ka ndarë një video për punën që është bërë. Muzeu i ikonografisë “Onufri” është organizuar në ambientet e kishës “Fjetja e Shën Marisë”, në kalanë e Beratit, prej 27 shkurtit të vitit 1986. Muzeu mban emrin “Onufri”, kushtuar kryemjeshtrit të pikturës ikonografike shqiptare në shekullin e XVI. Koleksioni i muzeut përbëhet nga 200 objekte të përzgjedhura nga fondet e kishave dhe manastireve të rrethit të Beratit.
Ai përbëhet kryesisht nga ikona dhe një grup objektesh liturgjike. Veprat e këtij muzeu datojnë nga më të vjetrat të shekullit XIV deri në fillim të shekullit XX. Ikonat janë realizuar nga piktorët ikonografë si: Onufri, Nikolla i biri i Onufrit, Onufër Qiprioti, David Selenica, Kostandin Shpataraku, Adam Kristo si dhe piktorët me mbiemer Çetiri (Gjergji, Joani, Nikolla, Naumi, Gjergji i riu dhe Ndini), si dhe nga shumë piktorë të tjerë anonimë. Kurse objektet liturgjike, kryesisht, mbajnë firmën e argjendarëve shqiptarë ndër shekuj. Gdhendjet në dru të katedrales janë realizuar nga mjeshtrit Stefan Barka nga Misrasi i Oparit dhe mjeshtër Naum Ngjela nga Lavdari i Oparit në fillimin e shekullit të XIX.