“Arkivi i brishtë” një ekspozitë që përbëhet nga tre vepra të artistit bashkëkohor nga Greqia, i cili jeton në Athinë, StefanosTsivopolous, kuruar nga Helidon Gjergji është hapur në Qendrën për Hapje dhe Dialog-COD. Vepra kryesore, instalacioni “Arkivi i Brishtë” qëndron i shfaqur në “Sallën e takimeve”, ndërsa dy projeksionet e filmit “Monumenti i humbur” dhe “Nemesis-Variacionet e një miti” mund të ndiqen në sallat “Tako artistin” dhe “Forum”. Në materialin rreth ekspozitës shpjegohet se “Arkivi i brishtë” është një projekt afatgjatë, i përqendruar rreth një koleksioni prej 900 imazhesh, rezultat i një kërkimi dhjetëvjeçar në institucione të ndryshme arkivore publike dhe private, zyra shtypi dhe gazeta në Greqi. “Materiali pamor mbulon kronologjikisht një periudhë rreth dyzetvjeçare nga viti 1963 deri në vitin 2002. Ai pasqyron disa nga ngjarjet kryesore politike të ndodhura në Greqinë e pasluftës, të lidhura edhe me historinë evropiane dhe botërore”, thuhet në material. Filmi “Monumenti i humbur” te salla “Forum” bazohet në historinë e ngritjes së statujës së Trumanit në Athinë, në vitin 1963 dhe aventurat e saj të mëvonshme. Që nga viti 1947, ai filloi një program të mbështetjes financiare për Turqinë dhe Greqinë në mes të luftës së saj civile, një program që u bë i njohur si Doktrina Truman.
Sulmet e përsëritura ndaj statujës mishërojnë ndjenjat publike të pjesëve të popullsisë greke gjatë periudhës së luftës së ftohtë. Në këtë film, Tsivopoulos ndërton historinë e tij fiktive duke u larguar nga faktet historike të ngritjes, heqjes dhe sulmit kundër statujës në vitin 1986. Këtu historia zhvendoset në favor të një narrative alegorike të thurur rreth një zbulimi të pakëndshëm material. Filmi “Nemesis-Variacionet e një miti” salla “Tako artistin” paraqet një grup refugjatësh që dalin në një breg shkëmbor, në një peizazh të panjohur mesdhetar. Diku tjetër, një grup turistësh evropianë të moshës së mesme vizitojnë mbetjet e një tempulli të lashtë. Të dy grupet enden nëpër peizazhe të ndryshme, të harlisur mes shtigjeve e shkëmbinjve derisa përfundimisht e gjejnë veten duke qëndruar ballë për ballë në anët e kundërta të një shtegu të ngushtë, në një shpat kodre. Të dy grupet shikojnë njëri-tjetrin, të hutuar dhe të shqetësuar. Si do të dalin nga ky ngërç?