Haig Zacharian: Veprat muzikore duhet të luhen, Rikard Ljarja i pari që më besoi muzikën e një filmi

0
47

Nga Julia Vrapi

Veprat e kompozitorit të mirënjohur Haig Zacharian janë luajtur në ngjarjet e rëndësishme të jetës muzikore në Shqipëri, por dhe përtej kufijve. Ka kompozuar gjithashtu muzikë filmash dhe aranzhuar shumë pjesë të muzikës klasike dhe romantike për ansamble të ndryshme. Qendra e Studimit të Arteve, pjesë e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, zhvilloi një lectio magistralis me titull “Rrëfim në dy kohë” me kompozitorin e mirënjohur Haig Zacharian, ku të pranishëm ishin akademikë, studiues, artistë, profesorë të Universitetit të Arteve, dashamirës të muzikës, etj. Lecto magistralis u zhvillua në bashkëbisedim me dr. Edmir Ballgjatin.

Ai theksoi se tema e këtij bashkëbisedimi përbën një përsiatje retrospektive për rrugën krijuese të kompozitorit Haig Zacharian. Veprimtaria e kompozitorit Zacharian shtrihet në një periudhë mbi 50-vjeçare, që lidhet edhe me proceset në të cilat kaloi muzika shqiptare në periudhën socialiste dhe atë postsocialiste. Dr. Edmir Ballgjati vijoi se Zacharian ka dhënë një kontribut të madh dhe ka pasur bashkëpunime të shumta me fushat e tjera të artit në të dyja periudhat. I pyetur për fillimet e tij në muzikë, kompozitori Zacharian tha se në Shkollën e Muzikës në Durrës nisi mësimet në piano. “Në fillime pasionet e mia kanë qenë për elektronikë. Hapet Shkolla e Muzikës në Durrës, vjen Feim Ibrahimi dhe seleksionin fëmijë. Unë zgjodha pianon”, tregon kompozitori. Haig Zacharian nga 1969-1973  ndoqi studimet në Institutin e Lartë të Arteve në Tiranë (sot Universiteti i Arteve) në klasën e kompozicionit me prof. Tonin Harapi.

Ai tha se Tonin Harapi ka qenë figura muzikore, që e ka ndjekur gjatë gjithë krijimtarisë. “Tonin Harapi përveçse ishte kompozitor i veçantë ishte dhe një mentor, të mësonte rreth muzikës e jetës. Shumë këshilla dhe biseda më kanë ngelur në mendje. Dashuria e tij për artin dhe muzikën ishte pa kufij. Në formimin tim është influenca e parë kryesore. Ai u bë udhërrëfyes në shumë gjëra në lidhje me profesionin, por dhe rreth aktivitetit profesional, rreth krijimtarisë”, tha profesor Zacharian në këtë bisedë, që u zhvillua në Akademinë e Shkencave.

 Muzika e filmave

Kolona zanore e më shumë se 30 filmave artistikë shqiptarë mban emri e kompozitorit Haig Zacharian. Muzika e filmave është një tjetër pjesë e rëndësishme në aktivitetin e tij, ku në Akademi biseda me profesor Zacharian u shoqërua edhe me komente të pjesëve muzikore, nga filmat e tij. Për karrierën në fushën e muzikës së filmit kompozitori Zacharian tregoi për punën e bërë dhe komunikimin me regjisorët e njohur: Rikard Ljarja, Kujtim Çashku e të tjerë gjatë përgatitjes së kompozimeve për filmat “Ilegalët”, “Dollia e dasmës sime”, “Dorina”, “Përtej mureve të gurta”, “Njeriu i mirë”, “Dora e ngrohtë”, “I paharruari”, “Taulanti kërkon një motër”, “Flutura në kabinën time”, etj. Zacharian tha se “Ilegalët” ka qenë dhe filmi i parë ku ai ka shkruar muzikën.

“Kam një falenderim për Rikard Ljarjen, sepse ishte i pari që më besoi një muzikë filmi. Ishte filmi i parë “Ilegalët”, tha ai. Në këtë bashkëbisedim, duke iu përgjigjur të tjera pyetjeve të dr. Edmir Ballgjatit, kompozitori Haig Zacharian solli në vëmendje se me rëndësi është që veprat muzikore të luhen, ndërsa shprehu dhe keqardhjen që shumë incizime të autorëve shqiptarë dikur për shkak të teknologjisë jo të mirë kanë dalë me difekte. “Shumë vepra ne i kemi incizuar. Sot të rinjtë nuk e kanë këtë vëmendje. Por shumë incizime na kanë dalë me difekte, që as mund ti korrigjojmë sot. Veprat muzikore duhet të incizohen mirë. Shumë vepra krijohen dhe për një aktivitet, si Dekadat e Majit. Veprat muzikore duhet të luhen. Shumë gjëra na kanë humbur për defekte teknike, por sot janë shumë gjëra më të mira nga ana teknike”, tha ai.

Ndër të tjera kompozitori Zacharian u ndal dhe te problemet me krijimtarinë në vendin tonë pas vitit 1990, ku sipas tij ato momente që nuk janë të mira do të zbehen me kalimin e kohës.  “Modern është ai që shkruan muzikë të bukur. Unë kam besim që momentet që nuk janë të mira do të zbehen. E mira del”, tha kompozitori. Rrëfimi i kompozitorit Zacharian vijoi edhe për punën që ka bërë me ansamblet amatore dhe kontributin, që ka dhënë për kompozimin e muzikës për fëmijë.

Një kompozitor me një karrierë të gjatë

Drejtori i Qendrës së Studimit të Arteve akademik Stefan Çapaliku theksoi se Haig Zacharian është një kompozitor me karrierë të gjatë e të spikatur në muzikën shqiptare. Çapaliku tha se profesori bën pjesë në kategorinë e artistëve, që qëndrojnë larg protagonizmit dhe prozhektorëve të vëmendjes publike dhe parapëlqejnë të flasin vetëm me veprën e tyre. Profesor Haigu theksoi akademik Çapaliku, është një kompozitor me një krijimtari mjaft të larmishme dhe i njohur për të gjitha shtresat e publikut shqiptar. Për publikun e përgjithshëm ai është i njohur mbi të gjitha për këngët dhe muzikën e filmave, ndërsa për publikun më specifik të muzikës së kultivuar ai njihet për veprat e shumta nga romanca vokale apo gjinitë instrumentale të muzikës së dhomës tek gjinitë e mëdha orkestrale apo dhe veprat skenike.

Kompozitori i shquar Haig Zacharian lindi më 8 maj të vitit 1952  në Durrës. Mësimet e para për piano dhe teorinë e muzikës, i mori në shkollën fillore, në qytetin e tij të lindjes. Nga 1969-1973 ai ndoqi studimet në Institutin e Lartë të Arteve në Tiranë (sot Universiteti i Arteve) dhe pas diplomimit ka punuar si drejtues artistik i ansambleve amatore në H/C Fierzë, Tropojë (1973-1977). Ai u kthye në Durrës në vitin 1977, ku vazhdoi punën me ansamblet amatore në pallatin “Rinia”. Pas kësaj, nga 1980-‘86 ai u emërua mësues i lëndëve teorike në Shkollën e Muzikës “Jan Kukuzeli” të Durrësit. Ndërmjet 1986 dhe 1992 Zacharian punoi si kompozitor në krijimtari të lirë. Në vitin 1993 ai u emërua shef i Katedrës së Teorisë dhe Kompozicionit në Akademinë e Arteve Tiranë (sot Universiteti i Arteve). Haig Zacharian është vlerësuar me çmime të shumta për krijimtarinë dhe aktivitetet e tij muzikore.

Pas viteve 1990 krijimtaria e tij përveç filmave është kryesisht në gjinitë e muzikës së dhomës ku duken qartë tendenca të përdorimit dhe eksperimentimit në teknikat bashkëkohore të krijimtarisë muzikore. Zacharian është i njohur dhe si kompozitor i pjesëve të ndryshme teatrore si në dramë ashtu dhe në komedi. Mban titullin “Profesor” që prej vitit 2013.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here