Nga Julia Vrapi
Komedia “Karnavalet e Korçës” vjen në skenën teatrore në Tiranë. Programi artistik në Teatrin Kombëtar vijon me komedinë shqiptare bazuar sipas motive të Spiro Çomorës. Kjo komedi është shfaqur dhe më parë në skena të tjera, por për 4 mbrëmje do të jetë te TK tek “ArTurbina”. Nikollaq dhe Olimbi Jorganxhi; tregtarë të fuqishëm në Korçë; kërkojnë dhëndër për vajzën e tyre 36 vjeçare, Afrovitin. Martesa has në pengesat e përzgjedhjes së kandidaturave për shkak të dëshirës pa kompromis së Olimbisë për ti bërë vajzës piano përveç prikës.
“Karnavalet e Korçës” një gërshetim midis komedisë e serenatave në skenën teatrore vjen me regji nga Erion Isai dhe një kast aktorësh të njohur, por dhe të rinj në role. Teatri Kombëtar shprehet se këtë herë “Karnavalet e Korçës” vijnë ndryshe. “Risjellja e veprës “Karnavalet e Korçës” vjen ndryshe; si një rreth i madh vicioz bullizimi, deprimimi social, viziv, virtual, shoqëror dhe ekonomik. Karnavalet si forma e një shoqërie që merr formën e enës ku hidhet. Ku “grushta” bullizmi familjar, ekonomik, klasi shoqëror i përplas ata me njëri- tjetrin, duke prodhuar farsën e komedisë, e në rastin tonë edhe të muzikorit”, thuhet rreth komedisë, që do të jetë në skenë në mbrëmjet e datave 27, 28 shkurt dhe 1 dhe 2 mars.
Vepra me regji nga Erion Isai që rikthehet këtë muaj sërish në skenën e Teatrit Kombëtar te “ArTurbina” në Tiranë u shfaq dhe vjet në muajin shtator. Erion Isai është regjisor i disa veprave në teatër, si: “Ëndrra në Papafingo” në teatrin Metropol; “Borgjezi Fisnik” në teatrin “Andon Zako Çajupi”, Korçë; “Ferma e Kafshëve” në Teatrin Kombëtar Eksperimental. Në vijim të aktivitetit të tij është dhe komedia “Karnavalet e Korçës”, që në festivalin “Koko Fest 2024” u shpall dhe shfaqja më e mirë. “Koko Fest” priti në Korçë gjatë festivalit vjet trupa teatrore nga Vlora, Kosova, Greqia, Durrësi, Tirana, Shkodra e patjetër që pjesë e tij ishte edhe teatri “ Andon Zako Çajupi” i qytetit të Korçës.
Komedia si pjesë e programit artistik dhe aktorët në role
Programi artistik përgjatë muajit shkurt në skenën teatrore solli vepra të ndryshme, shfaqje private dhe nga teatrot në rrethe, ku pjesë është dhe “Karnavalet e Korçës”. Komedia sipas motiveve të Spiro Çomorës në skenë te Teatri Kombëtar në Tiranë sjell në role aktorët Arben Dervishi, Zamira Kita, Paola Kodra, Kejdi Gishto, Salsano Rrapi, Albano Pordani, Ilda Pepi, Juxhin Plovishti, Silvio Goskova, Franc Bregu, Blerta Belliu, Rinalt Kasko, Lorenc Prodani.
Koreograf Bardh Pojani dhe muzika Josif Minga. Vepra e autorit Spiro Çomorës, pavarësisht se është shkruar në vitin 1961 dhe ngjarjet i zhvillon në 1936, është një komedi brilante që vazhdon të mirëpritet nga publiku. Spiro Çomora (Korfuz, janar 1918 -Tiranë, 1973) ishte mbledhës folklori, gjyqtar, satirist, përkthyes, poet dhe komediograf shqiptar.
Skena e tërhoqi Spiro Çomorën qysh herët dhe shkroi dialogje, intermexo, skeçe, pjesë me një akt etj, të cilat u botuan e u vunë edhe në skenë. Më vonë shkroi edhe disa komedi me një e tre akte, si “Syleshi”, “Iu hoqën petët lakrorit”, “Dy me zero” (më vonë e titulloi “Prindër edukatorë”), “Dema dhe toreadorë”, dhe mbi të gjitha “Karnavalet e Korçës” më 1961 dhe “Dy me zero” më 1969.