“C. V. e jetës” me Egla Cenon dhe Kudret Alikaj, një shfaqje e ndërtuar mbi veprën e poetit Petrit Ruka

0
27

Nga Julia Vrapi

“C.V. e jetës” vjen si një shfaqje e ndërtuar mbi veprën e poetit të mirënjohur Petrit Ruka. Me protagonistë kryesorë aktorët Egla Ceno dhe Kudret Alikaj, dialogu i poetit me pushtetin është në “C.V. e jetës”. Shfaqja me regji nga Kudret Alikaj është shfaqur në skena të ndryshme dhe është mirëpritur nga publiku.

Regjisori Kudret Alikaj thotë se kjo është një shfaqje që i kushtohet poetit të mirënjohur Petrit Ruka. “Për mua është një nga poetët më të rëndësishëm jo vetëm të këtyre viteve, por edhe një nga poetët më të rëndësishëm të të gjithë poezisë shqipe, sidomos e poezisë moderne shqipe.

Mund të them që është njeriu që e ka ngritur në artin më të lartë poezinë e jugut, poezinë e toskërisë. Qytetaria, dashuria për vendin që tregon dhe mbi të gjitha himnin, që ai i bën gruas. Kjo shfaqje është ndërtuar vetëm mbi veprën e Petritit.

Ajo që më ngacmoi të sjell këtë shfaqje në skenë është dashuria për poezinë e tij”, thotë Kudret Alikaj aktor dhe regjisor. Për kritikën e teatrit, “C. V. e jetës” erdhi në skenë si një shfaqje që nuk duhej humbur, me emocione të papërsëritshme për të gjithë ata që duan të qeshin, të qajnë, të dashurojnë, por edhe të urrejnë.

Regjisori Alikaj thotë se në shfaqje është dialogu i poetit me pushtetin, por gjithnjë pushteti nuk i respekton sa janë gjallë. “I respekton njerëzit e artit për fushata kur kanë nevojë dhe ikin nga kjo botë edhe të papunë”, thotë regjisori. Në shfaqje poezitë e autorit Petrit Ruka janë ndarë në katër cikle, ku Balada e Dilisë e krijuar duke ja huazuar motivet folklorit ka përcjellë shumë emocion për të pranishmit.

“Poezitë e atdheut dhe të vendit; poezitë qytetare, shqetësimi qytetar i poetit që është gjithnjë i pranishëm në veprën e tij; poezitë e dashurisë dhe sidomos  e himneve që ngre ai për gruan dhe këtu futen dhe poezitë erotike, dhe në fund unë e mbyll me një nga baladat më të bukura të tij, Balada e Dilisë”, thotë regjisori Kudret Alikaj.

Shfaqja në skena

“C. V. e jetës” me protagonistë kryesorë aktorët Egla Ceno dhe Kudret Alikaj është shfaqur në si fillim në Tepelenë vendlindjen e poetit, për të vijuar më pas në skenën e teatrit “Zihni Sako” të Gjirokastrës dhe në teatrin “Petro Marko” të qytetit të Vlorës. Gjithë dialogu i shfaqjes është ndërtuar mbi poezitë e Petrit Rukës: “CV e jetës” dhe “Poetët”.

Regjisori Kudret Alikaj thotë se pas Vlorës shpresojnë që të krijohet mundësia që shfaqja të jetë dhe në skena të tjera për publikun. “Dy shfaqje u dhanë së fundmi në qyteti e Vlorës që u mirëpritën nga publiku. Por ne jemi duke u përgatitur të jemi edhe në Sarandë dhe do përpiqemi që të jemi edhe në Tiranë, por kjo kërkon dhe një ndihmë”, thotë regjisori Alikaj. Kjo shfaqje është dhe me pjesëmarrjen e S. Sulozeqit, R. Çenkos dhe A. Kokas.

Skenografia G. Koçollari, libreti B. Koka, formulimi muzikor A. Lako. Poeti dhe kineasti i njohur Petrit Ruka ndërroi jetë më 6 korrik 2021 në moshën 67 vjeçare pas një beteje me një sëmundje të rëndë. Krijimtaria e tij ishte shumë e pasur dhe ka dhënë një kontribut shumë të madh si në kinematografi ashtu edhe në letërsi. Petrit Ruka ka zënë vend në letërsinë shqiptare si një nga poetët më të mirë të saj.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here