“Udhëtim dimëror” nga Schubert vjen në Teatrin e Operës dhe Baletit

0
20

Nga Julia Vrapi

“Udhëtim dimëror” do të vijë në Teatrin Kombëtar të Operës dhe Baletit. “Winterreise” ishte një nga veprat e fundit të Franz Schubert-it, kompozuar në vitin 1827, vetëm një vit para vdekjes së tij që do të vijë për artdashësit e muzikës në TKOB. Baritoni Artur Vera dhe pianistja e njohur Etrita Ibrahimi do ta sjellin këtë kryevepër në hollin koncertor të Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit më 22 shkurt në një koncert. ““Udhëtim dimëror” i Schubert vjen si një metaforë e dhimbjes dhe izolimit shpirtëror, me një cikël prej 24 këngësh për zë dhe piano”, thuhet nga TKOB. Kompozitori Franz Schubert e quajti këtë cikël “më i tmerrshmi”, që kishte shkruar ndonjëherë, duke sjellë një ndjesi të thellë dhimbjeje dhe melankolie. Cikli prej 24 këngësh, sipas teatrit, ndjek një udhëtar të vetmuar që endet në një peizazh dimëror pas një zhgënjimi nga dashuria, duke reflektuar mbi jetën dhe fatin e tij.

“Një shpirt i vetmuar endet mes dëborës, i heshtur, duke kërkuar pak ngrohtësi në mes të acarit. Çdo melodi është një hap më pranë një bote të ftohtë dhe të errët, ku dëbora mbulon gjithçka…përveç dhimbjes. E veç gjurmët mbeten pas, si të vetmet dëshmi të një rruge pa kthim. Në tingujt e thellë të Winterreise (Rrugët Dimërore), zemra rrëfen për dashurinë e humbur, ëndrrat e thyera dhe vetminë që e shoqëron njeriun në udhëtimin e tij të jetës”, thuhet nga teatri. Pjesë e mbrëmjes muzikore më 22 shkurt në hollin e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit do të jetë edhe vepra për piano, “Barokjare” e kompozitorit të njohur Aleksandër Peçi. Kjo vepër që do të luhet nga artistët vjen në vijim dhe të tjera veprave të këtij kompozitori, që janë luajtur më parë në koncerte të ndryshme. Aleksandër Peçi është një nga figurat më të rëndësishme të muzikës klasike shqiptare bashkëkohore. Veprat e tij luhen me sukses brenda dhe jashtë vendit, por në aktivitetin e tij kompozitori Aleksandër Peçi është dhe themelues i festivalit ndërkombëtar “Pianodrom”, që bën bashkë artistë shqiptarë dhe të huaj.

Muzika e Schubert në programin artistik të TKOB

Koncerte dhe shfaqje baleti janë pjesë e programit artistik përgjatë këtij muaji shkurt në Teatrin Kombëtar të Operës dhe Baletit, ku për publikun do të vijë dhe krijimtaria muzikore e kompozitorit Franz Schubert. Franz Peter Schubert (31 janar 1797 – 19 nëntor 1828) ishte një kompozitor austriak. Ai shkroi rreth 600 melodi , nëntë simfoni duke përfshirë të famshmen “Simfoninë e papërfunduar” muzikë liturgjike, opera, muzikë të rastësishme dhe muzikë solo për piano. Interesi në punën e Schubert u rrit në mënyrë dramatike në dekadat e pas vdekjes së tij. Kompozitorë si Franz Liszt, Robert Schumann dhe Felix Mendelssohn zbuluan, mblodhën, dhe botuan veprat e tij në shekullin e 19, ashtu si muzikologu Sir George Grove. Franz Schubert tani konsiderohet të jetë një nga kompozitorët më të mëdhenj.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here